Pas më shumë se 24 orësh nga sulmi kibernetik i Iranit, sistemi TIMS në aeroportin e Rinasit në Shqipëri është rikthyer në normalitet duke shmangur kështu radhët dhe vonesat në identifikimin e qytetarëve.
Nga ky aeroport këtë të diel ishin programuar 126 fluturime, nga të cilat 63 në dalje dhe pjesa tjetër në hyrje. Për këto fluturime regjistrimi i udhëtarëve do të bëhet përmes sistemit TIMS dhe jo manualisht siç u regjistruan një ditë më parë rreth 20 300 pasagjerë.
Rikthimi në normalitet i sistemit u bë dhe në pikat kufitare të Kapshticës, Kakavijës, Hanit të Hotit, Muriqanit dhe Morinës.
Edhe në portin e Durrësit prej pasdites së të dielës u rikthye në funksion të plotë sistemi TIMS. Regjistrimi manual i udhëtarëve vijon vetëm në doganën e Bllatës, por autoritetet thonë se janë duke punuar dhe se shumë shpejt edhe aty sistemi do të kthehet në funksion të plotë.
Bllokimi i sistemit TIMS nuk ka krijuar radhë udhëtarësh në hyrje apo dalje të vendit.
Sulmi kibernetik i Iranit nisi mbrëmjen e së premtes duke vënë në ‘alert’ autoritetet shqiptare të cilat fikën sistemin TIMS me qëllim parandalimin e rrjedhjes së të dhënave.
Pavarësisht identifikimit të autorëve të këtij sulmi, grupi Iranian Home Land Justice pranoi publikisht se fshihej pas hakerimit të sistemit TIMS madje shkoi dhe më tej kur publikoi pamje nga kamerat e sigurisë në një nga sportelet e policisë kufitare në pikat e kalimit.