image Rikthehet puna e plotë në Prokurorinë e Apelit dhe atë Themelore të Prishtinës

Drejtësi

Rikthehet puna e plotë në Prokurorinë e Apelit dhe atë Themelore të Prishtinës

news image

Puna në Prokurorinë e Apelit dhe në atë Themelore të Prishtinës nga nesër do të fillojë me kapacitete të plota pas vendimit të Këshillit Prokurorial.

Kjo po ndodh pas dy muajsh të reduktimit të punës si rezultat i gjendjes së renduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura në baza ditore tek prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive.

Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë mbledhjes së sotme ka marrë vendim për shfuqizimin e Vendimit të datës 21 tetor 2022, për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë.

Sipas KPK-së aty janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe nga nesër e mërkurë, 21 dhjetor 2022, puna në këto dy prokurori do të fillojë me kapacitete të plota.

Në mbledhjen e 220-të Këshillit Prokurorial ishte ngritur shqetësimi se stafi i prokurorisë çdo ditë po rrezikohet nga gjendja në Pallatin e Drejtësisë si pasojë e mungesës së ajrit.

Të gjendur para kësaj situate, KPK-ja kishin bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të implementojnë sa më shpejtë kontratën për hapjen e dritareve në këtë objekt.

Këshilli Prokurorial kishte marrë vendim për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas KPK-së ky reduktim në këto dy prokurori kishte ardhur si rezultat i gjendjes së renduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura në baza ditore tek prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive.

/GazetaSinjali/