Sot është bërë rikonstruktimi i një vrasje që ka ndodhur 3 vite më parë, ku një person ishte qëlluar me armë dhe kishte mbetur i vdekur afër shkollës “Frang Bardhi” në Mitrovicë.
Gjatë zbardhjes së këtij rasti, janë simuluar të gjitha skenat, duke përfshirë edhe një person që duket si i qëlluar me armë.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Sot është bërë rikonstruktimi i një vrasje që ka ndodhur para tri vitesh, e cila ka zgjatur rreth dy orë”, tha Zahiti për Gazetën Sinjali.
Në anën tjetër edhe Valon Preteni, nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ka konfirmuar rastin për Gazetën Sinjali, se rasti ka të bëjë me 21-vjeçarin që kishte mbetur i vdekur nga arma e zjarrit.
“Po, rasti është kthyer në rigjykim dhe është vendos për rikonstruktimin e vendit të ngjarjes, për këtë arsyeja janë marr hapat e nevojshëm”, tha Preteni.
Për këtë ngjarje, ishin arrestuar dy të dyshuarit V.B dhe H.V, 17 vjeçar, nxënës të gjimnazit “Frang Bardhi”. Ndërsa, viktima nuk ishte nxënës i kësaj shkollë.
Babai i viktimës pas vrasjes kishte deklaruar se nuk mund ta imagjinonte se si një nxënës shkon në shkollë me kallashnikov.
“Unë nuk e di qysh mundet me shku nxënësi me kallash në shkollë”, ka thënë Abedini duke iu referuar nxënësit të gjimnazit “Frang Bradhi” që dyshohet se nxënësi i tij e qëlloi viktimën me plumba të një kallashnikovi./Gazeta Sinjali/