Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), duke u bazuar në raportin e ekspertëve ndërkombëtarë, në mbledhjen e mbajtur më 25.6.2020, mori vendim që të riakreditojë Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, për tre vitet e ardhshme.
“Ky raport pozitiv vjen si rezultat i një pune të pandalshme të menaxhmentit, stafit akademik, administrativ, studentëve dhe bashkëpunëtorëve të këtij institucioni, të cilët u përkushtuan maksimalisht që UHZ-së t’i rikthejnë akreditimin”, thuhet në njoftimin e UHZ-së.
Me këtë vendim, këtij universiteti i mundësohet që të bëjë pranimin e studentëve të rinj, në pesë njësitë akademike të tij.
Rektori i UHZ-së, Fadil Millaku, ka uruar stafin dhe studentët dhe po ashtu ka falënderuar të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kontribuan në arritjen e këtij suksesi./Gazeta Sinjali/