Kompania amerikane e bioteknologjisë ‘Moderna’, deklaroi ditën e sotme se rezultati i fazës së parë për prodhimin e vaksinës kundër COVID-19 ka rezultuar me sukses.
Raportohet se personat mbi të cilët u kryen testimet prodhuan disa antitrupa, të ngjashëm me ato pacientë të cilët janë shëruar plotësisht.
Kompania deklaroi se sasia e antitrupave të prodhuar tek personat e testuar ishte më i lartë se sasia e antitrupave tek personat plotësisht të shëruar nga virusi.
Ndërkohë nga testet e para të kryera, fatmirësisht nuk ka pasur dhe efekte anësore tek pacientët. ‘Moderna’ në bashkëpunim me Institutin kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive me në krye epidemiologun amerikan Anthony Fauci shpresojnë të fillojnë fazën e dytë të testimeve në 3 korrik.
Testi i parë është një imunizim i bazuar në acidin ribonukleik që synon të stabilizojë një proteinë, të quajtur spike, e cila është gjetur brenda COVID-19.
Qëllimi i këtij testi është krijimi i një mekanizmi mbrojtës për trupin. Por do të duhet akoma kohë për të verifikuar këto rezultate të cilat tani për tani janë gjetur vetëm në grup të vogël njerëzish.
Përveç kësaj kompanie, edhe shumë qendra të tjera studimore dhe shkencore po përpiqen për të gjetur një vaksinë kundër virusit.
Sipas asaj që shruan gazeta Nature, janë të paktën 70 grupe në të gjithë globin që kanë marrë përsipër krijimin e antivirusit.
Shumë prej tyre shpresojnë që ta prodhojnë atë të paktën deri në fund të verës, dhe të jetë e gatshme për tu shpërndarë në të gjithë globin në muajin shtator. /Gazeta Sinjali/