image Rexhep Selimit mund t’i mundësohet ardhja në Kosovë, kjo është arsyeja

Drejtësi

Rexhep Selimit mund t’i mundësohet ardhja në Kosovë, kjo është arsyeja

news image

Që nga nëntori i vitit 2020 ish-eprori i UÇK-së, Rexhep Selimi, gjendet në Hagë. Mirëpo, gjykimi ndaj tij ende nuk ka nisur.

Megjithatë Selimi ka lënë në Kosovë në gjysmë një proces gjyqësor.

Ai bashkë me disa persona të tjerë në nëntor të 2015-ës penguan policinë për të arrestuar kryeministrin e tanishëm, Albin Kurtin.

Ky proces gjyqësor që ka dështuar para disa ditësh, mund t’ia mundësojë Selimit kthimin në Kosovë.

Gjykata Speciale në një përgjigje për RTV Dukagjinin ka thënë se do t’i përgjigjen Kosovës në përputhje me ligjin.

Gjykata Themelore në Prishtinë nuk tregon nëse kanë bërë kërkesë për të sjellë Selimin në procesin gjyqësor.

Mirëpo avokati, Tahir Recaj thotë se nuk ka asnjë arsye që Selimit të mos i mundësohet një gjykim i tillë në Kosovë.

“Unë besoj se do t’i mundësohet Selimit të kthehet në Kosovë për një gjykim të tillë. Vetëm duhet të bëhet kërkesa për një gjë të tillë. Ndoshta duhet dërguar edhe akt akuza që kërkesa të jetë më e besueshme. Nuk ka asnjë arsye pse Selimi të mos sillet në Kosovë”, deklaroi ai.

Edhe avokati Artan Qerkini thotë se Specialja e ka obligim ta sjellë në Kosovë Selimin.

“Ju e dini që në Kosovë nuk lejohet gjykimi në mungesë. Prandaj Specialja është e obliguar të sjellë në Kosovë zotin Selimi pasi edhe që edhe Specialja është gjykatë vendore në aspektin juridik”, deklaroi Qerkini.

Deri më tani vetëm Kadri Veselit nga të akuzuarve të Speciales i është mundësuar vizita në Kosovë./Gazeta Sinjali/