Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka folur për intervistimin nga hetuesit e Prokurorisë së Gjykatës Speciale në rolin e dëshmitarit.
Ai ka thënë se është ftuar për një rast të vitit 1998, duke vlerësuar se ky rast nuk i bie barra atij.
“Çdo dëshmitar mund të kthehet në të dyshuar dhe çdo i dyshuar mund të kthehet në dëshmitar, prandaj siç e kam bërë publike edhe më herët tashmë dihet se për çfarë jam ftuar. Jam ftuar për një rast të vitit 1998 dhe kaq mund të ndaj me ju”, ka deklaruar Selimi në RTV Dukagjini
Selimi më tutje ka treguar se është intervistuar tri ditë nga hetuesit e Speciales, por që thotë se nuk e di nëse Gjykata Speciale do t’i hetojë edhe rastet e pasluftës.
“Konstatoj edhe një herë ku jam i ftuar për një rast, nuk është një rast që peshon shumë mbi mua, por që po më pyesni për raste të veçanta. Unë nuk jam ftuar dhe intervistuar për raste të pasluftës. Madje, nuk e di as se a i trajton rastet e pasluftës apo jo”.
“Jam intervistuar për tri ditë, ku jam pyetur për funksionimin e UÇK-së si dhe për një rast të veçantë”, ka deklaruar Selimi./Gazeta Sinjali/