Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se kundërshtari më i madh i marrëveshjes ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së është presidenti Hashim Thaçi, kjo për shkak të së kaluarës së tij.
E përkundër sfidave, Selimi është optimist se Vetëvendosje dhe LDK do të arrijnë marrëveshjen për krijimin e koalicionit qeverisës.
“Ditëve të fundit kemi qenë të përballur me një faktor tjetër që na ka bërë presion për të dërguar emrin, që ishte zyra e presidentit. Bashkëpunimi me LDK-në ka pasur sfida, por asnjëherë këto nuk e kanë bërë të pamundshme koalicionin me të. Me optimizëm po e shoh se do të arrihet kjo marrëveshje, pasi as ne as LDK-ja nuk kanë partnerë të tjerë”, ka thënë Selimi në ktv.
Ai ka përmendur se kujt i konvenon ky koalicion.
“Nuk kam si të mos e vë në pah se interesi i kujt është ky koalicion. Është i mbi 400 mijë votuesve tanë, i edhe i atyre që nuk kanë votuar. Është interes i qytetarëve që Kosova të ketë qeveri stabile, dhe është interes edhe i yni e edhe i LDK-së që të zgjedhin njëra tjetrën për partner”, ka thënë ai.
Sipas Selimit ata që nuk e donë këtë koalicion janë edhe kundërshtarët e tjerë politik, por përtej kësaj personaet që kanë problem me ligjin.
“Në anën tjetër kush nuk ka interes. Nuk është as i LDK-s, as Vetëvendosjes, e as qytetarëve. Kundërshtarët e koalicionit do të gëzoheshin nëse do të dështonte marrëveshja, por përtej kësaj të gjithë ata që kanë ra ndesh me ligjin janë kundër kësaj marrëveshje. E pengesa kryesore është presidenti Hashim Thaçi e ai ka fuqi kushtetuese. Besoj se LDK-ja nuk do të lejojë që të triumfojë kundërshtari më i madh i këtij koalicioni, presidenti Thaçi. I cili është kundërshtari më i madh i këtij koalicioni për shkak të së kaluarës së tij. Duke e ditur LDK-ja këtë fakt nuk pres që ajo ta dështojë koalicionin me ne”, u shpreh Selimi.