image Reuters raporton për akuzat e Speciales ndaj Thaçit: Heroi kombëtar i përkrahur nga ShBA, po akuzohet për 100 vrasje

Drejtësi

Reuters raporton për akuzat e Speciales ndaj Thaçit: Heroi kombëtar i përkrahur nga ShBA, po akuzohet për 100 vrasje

news image

Të mërkurën agjencia e lajmeve, Reuters, ka raportuar për fillimin e gjykimit të parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke paraqitur të dhëna për krijimin e kësaj gjykate dhe për të akuzuarit.

Të mërkurën u hap gjyqi i parë në një gjykatë speciale që merret me krimet gjatë luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Sinjali.

Gjykata e Dhomave të Specializuara të Kosovës u krijua në vitin 2015 për të trajtuar krimet që nuk gjykoheshin nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë (ICTY), e cila ndoqi individë për mizori gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990, dhe u mbyll në 2017.

Tribunali ndodhet në Hagë, përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, por zyrtarisht është një gjykatë e Kosovës e përfshirë në ligjin e Kosovës.

Rasti i parë është kundër Salih Mustafës, 50 vjeçar, ish-komandant pro pavarësisë i cili u deklarua i pafajshëm të mërkurën për krime lufte.

Ai përballet me akuza për vrasje, i akuzuar për drejtimin e një njësie burgu ku të burgosurit u nënshtroheshin rrahjeve dhe torturave të përditshme.

Prokurorët thanë se viktimat ishin shqiptarë të tjerë të Kosovës që nuk pajtoheshin politikisht me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSP) ka paditur tetë të dyshuar, të gjithë ata janë në paraburgim në një njësi paraburgimi në qytetin bregdetar holandez të Scheveningen. Ndër ta edhe ish -presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje nga posti vitin e kaluar për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokurorët e konsiderojnë Thaçin përgjegjës për gati 100 vrasje të civilëve gjatë luftës kur ai ishte komandant i UÇK -së që luftoi policinë dhe ushtrinë serbe.

Thaçi, një hero kombëtar i mbështetur nga ShBA, filloi karrierën e tij politike pasi udhëhoqi betejën e UÇK-së kundër forcave nën Millosheviç. Ai ka qenë figura dominuese politike në vend që nga pavarësia e tij 13 vjet më parë.

Të paktën 13,000 njerëz vdiqën gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, atëherë një krahinë e Serbisë nën Presidentin e ndjerë jugosllav Slobodan Millosheviç. /GazetaSinjali/