Reshjet e shiut kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Komunës së Podujevës.
E po ashtu janë shkaktuar pengesa në qarkullim edhe në disa vende.
Uji ka vërshuar toka bujqësore dhe rrugë në fshatin Bellopojë, Lupç i Poshtëm, Batllavë, Dumnicë, Penuhë dhe në disa fshatra të tjera.
Si shkak i reshjeve janë mbyllur kanalet e ujërave atmosferike e probleme kanë shkaktuar edhe ujërat sipërfaqësore nga reshjet e shumta.
Për të parë nga afër gjendjen e krijuar dhe dëmet e shkaktuara në pronat bujqësore, zonat e goditura nga vërshimet i ka vizituar Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi.
Ndërsa, ekipi i sektorit për Emergjencë i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Podujevës me kompaninë e angazhuar është vazhdimisht në teren duke intervenuar në sanimin e gjendjes.
Dëmet e shkaktuara në infrastrukturë, bujqësi dhe ekonomi familjare do të vlerësohen nga komisioni i Komunës./GazetaSinjali/