image Reshitaj: Nuk është e vërtetë që jam larguar nga AAK-ja

Politikë

Reshitaj: Nuk është e vërtetë që jam larguar nga AAK-ja

news image

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka reaguar pas raportimeve që votimi i saj në seancën për zgjedhjen e presidentit ishte një marrëveshje mes saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje për kalimin e saj në këtë pari.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka përsëritur që arsyet kryesore që e shtyn të jetë pjesë e këtij votimi ishin kundërshtimet e saj për zgjedhje të reja në pandemi dhe që të mos lejojë Listën Serbe të bllokojë shtetin e Kosovës, me direktivat e Beogradit.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë në një situatë të rënduar nga Pandemia, do të ishin rrezik tepër i madh për qytetarët tanë, të cilët sot më shumë se kurrë kanë nevojë që institucionet të merren me menaxhimin e kësaj gjendje dhe jo të kontribuojmë që situata të përkeqësohet. Si një profesioniste shëndetësore nuk kam mundur ta bindi vetën që diçka e tillë të ndodh”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.

“Së dyti, me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në integritetin e shtetit të Kosovës, është fakti se ne nuk mund të lejojmë që Lista Serbe të arrijë që ta bllokoj vendin me direktiva nga politika e Beogradit ashtu siç kemi qenë të detyruar në të kaluarën.”

Reshitaj ka thënë se ajo është pjesë e AAK-së, derisa ka shprehur besimin e saj që në këtë parti lejohet mendimi ndryshe.

“Po ashtu, dua të bëj me dije se nuk është e vërtetë që jam larguar nga partia të cilës i takoj dhe kam kaluar në ndonjë grup tjetër parlamentar, ashtu siç përgënjeshtroj çdo tendencë që e përfshijnë emrin tim si një kandidate eventuale për kryetare të Komunës së Suharekës. Unë jam pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës derisa besoj që edhe mendimi ndryshe është pjesë e demokracisë brenda partisë që i takoj”, ka përfunduar ajo./Gazeta Sinjali/