image Republikanë me peshë në Kongres mbështesin ngritjen e akuzave kundër Trump

Botë

Republikanë me peshë në Kongres mbështesin ngritjen e akuzave kundër Trump

news image

Republikanët që kanë pozitë me peshë në Kongres janë duke e mbështetur procesin për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Trump.

Në një artikull të publikuar në gazetën New York Times bëhet e ditur se udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell u ka thënë ndihmësve të tij se beson që Presidenti Trump ka kryer akte që meritojnë ngritjen e akuzave, përcjellë Gazeta Sinjali.

Ndërkaq tre ligjvënës republikanë kanë bashkuar zërat me kolegët demokratë duke deklaruar se do të votojnë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Trump.

Liz Cheney, republikanja e tretë më e rëndësisishme në Dhomën e Përfaqësuesve, tha të martën përmes një deklarate se “Do të votoj për të ngritur akuza për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump”. Zonja Cheney nënvizon në deklaratë se presidenti “mblodhi turmën dhe ndezi flakën e sulmit” ndaj Kapitolit më 6 janar.

Liz Cheney, vajza e ish-nënpresidentit Dick Cheney, kryeson Konferencën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, struktura që zgjedh udhëheqësit republikanë në këtë dhomë.

Më herët të martën, ligjvënësi John Katko ishte shprehur se do të votonte për ngritjen e akuzave kundër presidentit për sulmin ndaj Kapitolit, duke u bërë republikani i parë që u bashkohej kolegëve demokratë në përpjekjet për të larguar presidentin nga posti.

Nënpresidenti Mike Pence përjashtoi mundësinë e përdorimit të Amendamentit të 25-të për heqjen e Presidentit Donald Trump nga detyra, më pak se një javë pasi Presidenti nxiti protestën e dhunshme në Kapitol.

Në një letër të martën vonë drejtuar Kryetares së Dhomës së Pëfaqësuesve Nancy Pelosi, Nënpresidenti Pence tha se “ky mekanizëm (Amandamenti i 25) nuk duhet të përdoret”.

Nënpresidenit Pence inkurajoi Kongresin që të shmang veprimet që mund të çojnë në “përçarjen dhe ndezjen e mëtejshme të pasioneve të momentit” dhe të përqëndrohet në realizimin e një tranzicioni të qetë të pushtetit në administratën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan e kontrolluar nga demokratët votoi të martën mbi një rezolutë për t’i kërkuar Nënpresidentit Mike Pence dhe anëtarëve të Kabinetit të Presidentit Donald Trump të përdorin autoritetin e tyre kushtetues për ta shkarkuar Trump nga detyra.

“Presidenti përbën një kërcënim urgjent ndaj Kushtetutës, vendit dhe popullit amerikan dhe ai duhet të hiqet menjëherë nga detyra,” tha Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi të hënën.

Presidenti Trump dhe nënpresidenti Pence u takuan të hënën vonë në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë që kur protestuesit pro-Trump sulmuan Kapitolin e Shteteve të Bashkuara javën e kaluar.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se të dy ata “rikonfirmuan se ata që shkelën ligjin dhe sulmuan Kapitolin javën e kaluar nuk përfaqësojnë lëvizjen ‘Amerika para së gjithash’ të mbështetur nga 75 milionë Amerikanë dhe u zotuan të vazhdojnë punën në emër të vendit deri në fund të mandatit të tyre.

Pence shkaktoi zemërimin e presidentit Trump, kur refuzoi përpjekjet e presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, ku Trump humbi ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris.

Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuseve pritet që të mërkuren të votojnë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit.

/Gazeta Sinjal/