Përfaqësuesit e Republikës së Serbisë do të iniciojnë një ligj që do të dërgojë në burg këdo që e quan popullin serb si popull gjenocidal.
Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë, Valentin Inzko, ka iniciuar ndryshimin e ligjit në nivel vendi që dënon të gjithë ata që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë.
Kjo nuk është pëlqyer nga Serbia dhe përfaqësuesi i saj në Presidencën 3-anëtarëshe të Bosnjës, Milorad Dodik. Edhe partitë tjera serbe nuk e kanë pranuar këtë vendim.
Sot, në komisionet e Kuvendit Popullor të Republikës Serbe janë iniciuar dy ligje si kundërpërgjigje për këtë, e njëri prej tyre dënon të gjithë ata që i quajnë serbët popull që kanë kryer gjenocid.
Këto ligje pritet të miratohen në seancën e së premtes, e cila do të jetë e mbyllur për publikun.
Serbët nuk e pranojnë që ka ndodhur gjenocid ndaj popullit boshnjak dhe sidomos nuk e konsiderojnë si gjenocid atë që ka ndodhur në Srebrenicë ku mbi 8000 meshkuj të paarmatosur u vranë pa asnjë arsye nga grupet paramilitare serbe dhe ushtria e serbëve të Bosnjës.