image Rëndohet gjendja: Shkon në mbi 200 numri i qytetarëve që dyshohet se u helmuan në lokalin “Apetit” në Malishevë

Shëndetësi

Rëndohet gjendja: Shkon në mbi 200 numri i qytetarëve që dyshohet se u helmuan në lokalin “Apetit” në Malishevë

news image

Komuna e Malishevës u alarmua mbrëmjen e 13 tetorit pasi u helmuan disa persona nga ushqimi në një “fast food”. Gjatë asaj dite personat e helmuar u udhëzuan për QKUK në Prishtinë dhe disa për në spitalin e Prizrenit. Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar për Sinjalin se lokali është mbyllur përkohësisht ndërsa në cilësinë e të dyshuarit tashmë është intervistuar pronari i lokalit i cili edhe është arrestuar.

Që nga paraqitjet e para të helmimit, dy ditë pas kësaj ngjarje numri nga 63 të helmuar ka shkuar në 205.

Lajmin e ka konfirmuar, Afrim Krasniqi, drejtor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë.

“Numri i qytetarëve po vazhdon të rritet, deri tani 205 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Të gjithë janë paraqitur me simptoma të njëjta, vjellje, temperaturë, ethe. Disa janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit, disa në QKUK në Prishtinë”, tha ai për Telegrafin.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se pronari i lokalit “Apetit” ku dyshohet se u helmuan 205 persona deri më tani, është Kujtim Shala i cili tashmë gjendet në mbajtje.

“Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e datës së lartcekur e deri në mesnatë ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë, ndërsa tre prej tyre janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, deklarojnë nga Policia.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar lokalin “Apetit” por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk është lajmëruar askush, kurse numri personal i telefonit të pronarit ka rezultuar të jetë pa qasje në rrjet.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, në një konferencë për media ka thënë se është mbyllur përkohësisht fast food në fjalë.

Thaçi tha se nga inspektimet që janë bërë në atë lokal është vërejtur që gjendja e përgjithshme teknike, sanitare, higjenik ka qenë në nivelin jo të mirë si dhe janë gjendur produkte që nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për tu ditur origjina e tyre.

Ai tha se ky është rasti i dytë që është duke ndodhur brenda një javë dhe sipas tij AUV do të filloj  një aksion në të gjithë territorin e Kosovës, ku të gjitha lokalet e gastronomisë do të inspektohen. 

“Ekipi inspektues i AUV ka ndihmuar edhe prokurorin në rast në marrjen e të gjitha dëshmive për tu gjurmuar të gjitha dëshmitë dhe për tu lidhur të gjitha faktet e nevojshme qe të dimë saktë se si ka ndodh apo cili ka qenë shkaktari i cili ka ardhur deri tekë ky helmim. Deri më tani nga informata që i kemi nga mekanizmat shëndetësor janë rreth 100 persona që kanë kërkuar shërbime mjekësore qoftë në Qendrën Klinike Familjare në Malishevë, në spitalin regjional në Prizren dhe në QKUK”.

“Tani që është rasti i dytë që po ndodh brenda një javë është alarmuar ministri dhe drejtori ekzekutiv, të cilët kanë dhënë urdhër që ne të fillojmë një aksion të gjithë mbarshëm në gjithë territorin e republikës së Kosovës, ku të gjitha lokalet e gastronomisë, këto që gatuajnë dhe shërbejnë ushqime të shpejta ti nënshtrohen kontrollit të detajuar. Pjesa më e madhe e helmimeve ka ndodhur tek kjo kategori e lokaleve. Dhe në dëshirojmë që kjo të mos ndodhë më. Numri i inspektorëve është i kufizuar”.  

“Gjendja e përgjithshme teknike, sanitare, higjenike ka qenë në nivelin jo të mirë, kjo është bërë nga vlerësimi i ekipit inspektues. E dyta nuk kanë pas libreza sanitare punonjësit që kanë punuar në këtë lokal, që sipas ligjit kërkohet të ketë. Aty janë gjetur disa produkte që në i quajmë pa origjinë apo nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për tu ditur origjina e tyre”, tha ai. 

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/