image Rëndohet gjendja me pandeminë në ShBA, një shtet ka vetëm 8 shtretër të lirë në kujdesin intensiv

Botë

Rëndohet gjendja me pandeminë në ShBA, një shtet ka vetëm 8 shtretër të lirë në kujdesin intensiv

news image

Në Arkansas të Shteteve të Bashkuara të hënën, u shënua rekord i ri i personave të hospitalizuar për shkak të koronavirusit.

Ky shtet amerikan raportoi rritjen më të madhe ditore për 103 në numrin e hospitalizimeve. Kështu, numri i personave të hospitalizuar me COVID-19 shkoi në 1 mijë e 376. Rekordi i mëparshëm shtetëror ishte shënuar në janar, kur ishin 1 mijë 371 raste.

Departamenti i Shëndetësisë bëri të ditur se në Arkansas kanë mbetur vetëm tetë shtretër të lirë në repartet e kujdesit intensiv. Në Arkansas janë 509 pacientë në repartet e kujdesit intensiv dhe 286 në respiratorë.

Guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinston, në rrjetet sociale ka shkruar: “Raporti i sotëm shfaq disa shifra shumë shqetësuese”, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Sinjali.

Arkansasi është shteti i tretë i ShBA-së sa u përket rasteve të reja me COVID-19 për numër banorësh, sipas shifrave të hartuara nga hulumtuesit e Univesitetit “Johns Hopkins”. Numri i rasteve është rritur shumë në javët e fundit, i nxitur nga varianti Delta dhe shkalla e ulët e vaksinimit.

Deri më tani, vetëm rreth 37 për qind e popullsisë 3-milionëshe është e vaksinuar plotësisht, që është shifra më e ulët në krahasim me shumë shtete tjera të ShBA-së./Gazeta Sinjali/