image Rekord i rasteve me COVID-19/ Haradinaj: Mashtruesit kanë vendosur që ministrin e Shëndetësisë ta kandidojnë për kryetar të Prishtinës - Sinjali

Rekord i rasteve me COVID-19/ Haradinaj: Mashtruesit kanë vendosur që ministrin e Shëndetësisë ta kandidojnë për kryetar të Prishtinës

news image

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për rritjen rekorde të numrit të rasteve të reja me COVID-19, raporton Gazeta Sinjali.

Ai madje i ka quajtur kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje mashtrues, pasi që kanë vendosur që ministrin e Shëndetësisë ta kandidojnë për kryetar të Prishtinës.

“Në kohën kur situata pandemike është jashtë kontrollit dhe Kosova po shënon numër të lartë të rasteve me infeksion, mashtruesit kanë vendosur që ministrin e Shëndetësisë, ta kandidojnë për kryetar të Prishtinës. Largimi i ministrit Vitia nga përgjegjësitë shtetërore dhe kalimi i vëmendjes së tij te gara zgjedhore, edhe njëherë e shpërfaq fytyrën e vërtetë të Qeverisë së mashtrimit”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.

Sipas kreut të AAK-së, para interesave të ngushta politike, kjo qeveri duhet të ketë interesat e shtetit dhe të përkushtohet në menaxhimin e gjendjes së rëndë shëndetësore në vend.

“Koston e kësaj gjendjeje, do ta paguajnë jo vetëm pacientët e stafi mjekësor, por edhe ekonomia e vendit, me masat që këta mashtrues do t’i vendosin, ashtu siç mbyllën vendin dhe shkatërruan ekonominë vitin e kaluar”, shkroi ai.

Pavarësisht nga “mosinteresimi i Qeverisë”, Haradinaj ka lutur stafin shëndetësor në nivel vendi, që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në kujdesin për qytetarët e Kosovës./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin