Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka ka thënë se me anulimin e tri vendimeve të ish-ministres, Dhurata Hoxha ka kursyer 400 mijë euro. Reka është shprehur se ka anuluar kontrata lobuese dhe këshillëdhënëse që nuk i shërbenin Kosovës dhe kontratën për qiranë e objektit jashtë ndërtesës qeveritare.
Ministri Reka ka folur edhe për liberalizimin e vizave, ku u shpreh optimist se këtë vit do të liberalizohet vizat për kosovarët, por që nuk dha ndonjë datë të caktuar.
“Një nga vendimet e para me marrjen e detyrës ishte urdhëresa për të ndaluar, bllokuar të gjitha procedurat e filluara. Qoftë për punësime, qoftë për kontrata në vepër, qoftë për avancime dhe qoftë për pagesa të çfarëdo lloji. Në këtë të fundit unë anulova kontratën për qira e objektit jashtë ndërtesës qeveritare. Konsideroj se me dy kate, mund të vendoset i tërë stafi për një punë solide. Kur them anulova kontratën, për mua ishte një kontratë e çuditshme sa i përket shumës së lartë. Diku rreth 23 mijë euro në muaj. Të cilës i shtohen shpenzimet për mirëmbajtje mujore prej 40 mijë eurosh i bie që vetëm për qira brenda vitit kjo ministri paguante 340 mijë euro para për objekt qira”, ka thënë ai.
Krahas kësaj, ministri Reka ka thënë se gjatë gjithë mandatit të tij si ministër do të vazhdojë me racionalizmin e kursimit.
“Në kundërshtim me obligimet që i kishte kjo ministri, dhe tërë qeveria për punësimin e kuadrove të shkolluara jashtë në vijën e bursistëve në universitete ev ropiane pash angazhime me kontrata mbi vepër në kuadro që nuk do të kontribuonin në procesin integruese. Fillova të analizoj tri kontrata për lobim dhe këshilla. Një ishte me kompani franceze një ishte me amerikane. Dhe një kontratë të tretë për përkrahje mediale, të cilat në muaj i kushtonin kësaj ministre diku në 93 mijë euro para”.
“Krejt do të ishte në rregull sikur përmbajtja e realizuar në këto kontrata do të kontribuonte në procesin e integrimit evropian. Por jo që nuk pash që kompanitë e angazhuara kishin ofruar punë, për çka ishin paguar. Dhe e dyta nuk pash se impakti i këshillave, i lobimit kishte të bënte me procesin e integrimit evropian…5:25 Në mikro-plan ne si ministri me këto dy-tri intervenime të para të javës së parë arritëm t’i kursejmë buxhetit shtetëror diku rreth 400 mijë euro me vetëm këto veprime. Do të vazhdojmë prapë me racionalizimin, me kursimin me maksimalizimin e resurseve njerëzore me sa më pak shpenzimin e resurseve publike”, është shprehur Reka.
Ministri Reka ka thënë se është optimist se me një përpjekje të brendshme në gjyqësor dhe lobim të mirëfilltë në dy-tri shtete deri në fund të vitit do të liberalizohen vizat.
“Unë vetëm kam thënë ndihem optimist se me një përpjekje të brendshme në gjyqësor. Me një lobim të mirëfilltë në dy-tri shtete që janë ende hezituese deri në fund vitit mund të arrihet në liberalizimin e vizave. Kjo ka qenë përgjigjja ime, sepse po shoh se po keqinterpretohet. Po thuhet se unë jap datë. Unë nuk kam përmend asnjëherë datë…unë do të doja dhe shpresoj që do të realizoj prioritetin tim afatshkurtër. Një prej top-prioriteteve që brenda vitit të kemi liberalizim të vizave. Por po iu them, varet nga gjyqësori”, ka thënë ai.
Për metodologjinë e re të BE-së për procesin integrues të Ballkanit Perëndimor, ministri Reka ka thënë se ka vende të cilat e shohin me rezerva këtë nga frika se procesi mund të zgjasë në pafundësi.
“Tani me metodologjinë e re propozohet që në start të procesin negociator të jenë së bashku Komisioni Evropian edhe Këshilli Evropian. Në mënyrë që shtetet anëtare që në start të kenë monitorimin dhe mbikëqyrjen e procesit. E dyta që është shumë me rëndësi është që tani zbatohet parimi i ri thyeshmërisë. Që do të thotë, nuk është e garantuar që ju si shtet e keni mbyllur një herë një kapitull dhe nuk do të hapet. Nëse zhvillimet në teren në shtetin tuaj tregojnë se ju keni shkuar në regres dhe jo progres bëhet ri-hapja e kësaj kapitulli. Këtu qëndron ajo droja e shteteve kandidate se mos kjo do të zgjas në pafundësi procesin”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/