image Reja: Më vjen keq për humbjen, pasi luajtëm mirë, publiku ishte i jashtëzakonshëm

Futboll

Reja: Më vjen keq për humbjen, pasi luajtëm mirë, publiku ishte i jashtëzakonshëm

news image

Selektori i Shqipërisë u deklarua pas humbjes nga Polonia, transmeton Sinjali Sport.

Reja foli për rrjedhojën e takimit, për gabimet dhe për tifozët, që sipas tij ishin të jashtëzakonshëm.

“Kishim filluar të binim fizikisht në momentin që pësuam golin. Po ulnim ritmin dhe po provoja të bëja zëvendësime për t’i dhënë pak freski skuadrës. Ndoshta duhej ta zëvendësoja Baren pak më shpejt, por ai po këmbëngulte që të qëndronte ende. Më vjen keq për humbjen, pasi bëmë një paraqitje shumë të mirë, ndonëse kishim edhe shumë mungesa”, tha trajneri Reja në nisje të intervistës.

A mund të bënit më mirë me lojtarët që mungonin?
Së pari dua të falënderoj publikun shqiptar, që ishte i jashtëzakonshëm. Për një publik si ky, ia vlente të provonim deri në fund për të marrë suksesin. Nuk dua të qahem, pasi na mungonin 6-7 lojtarë, por unë kam një grup prej 25 futbollistësh. Sigurisht më vjen keq që mungesat na ndodhën në këtë ndeshje kaq të rëndësishme, megjithatë unë jam krenar me atë që bëmë sot në fushë.

Kemi pësuar tre gola të ngjashëm ndaj Polonisë, dy në Varshavë dhe një këtu. A keni keqardhje për këtë?
Në të dy ndeshjet kemi gabuar në mbrojtje dhe kemi pësuar gola që nuk duhet t’i marrim më. Pasimi ishte shumë i mirë, por ne duhej të markonim kundërshtarët dhe nuk ishte nevoja të mblidheshim të gjithë në rrezen e portës. Pati disa momente gabimi në rastin e golit, por nuk dua të kritikoj askënd, pasi janë gjëra që ndodhin.

A mund të aktivizohej më shpejt Bajrami? Luajtët për fitore apo për barazim?
Më vjen keq që bëhen diskutime të tilla, duke pasur parasysh edhe mundësitë e zgjedhjet që kishim sot. Bëmë maksimumin për të marrë tre pikët dhe për këtë hodha në fushë edhe Brojën, duke luajtur me tre sulmues. Nuk kishim shumë alternative, ndaj një kundërshtari shumë të fortë, që u mbajt shumë mirë fizikisht, ndryshe nga ne që pas minutës së 60’ ramë jo pak. Më vjen keq që nuk ia dolëm, por nga ana tjetër jam krenar për atë që kemi bërë. /Gazeta Sinjali Sporti/