image Reja e Hysaj presin që t'i mbyllin eliminatoret me fitore

Futboll

Reja e Hysaj presin që t’i mbyllin eliminatoret me fitore

news image

Shqipëria do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshjen e fundit në grupin I ndaj Andorrës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Në prag të kësaj ndeshje, ditën e sotme, në një konferencë për mediat kanë dalë trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja dhe mbrojtësi Elseid Hysaj, të cilët kanë folur në lidhje me këtë sfidë.

Trajnri Reja theksoi se skuadra po punon për ta përgatitur sa më mirë këtë ndeshje, pasi nuk është një ekip i lehtë. Tekniku nuk do të ketë në dispozicion disa lojtarë, për shkak dëmtimesh dhe për shkak të skualifikimit nga kartonët, por ai shprehet se do të hedhë në fushë lojtarët më të mirë që ka në dispozicion.

Reja foli edhe për ndeshjen me Anglinë, ndërsa theksoi se shpreson që ekipi të ruajë pozitat e vendit të tretë.

Kundërshtari? – Andorra është një skuadër që duhet ta shohim si një skuadër që duhet ta mundim dhe ta menaxhojmë siç duhet këtë ndeshje. Pas humbjes 5-0 me Anglinë është e vështirë t’i ngresh moralin skuadrës, nuk kemi qenë mirë në këtë aspekt. U mundëm nga Anglia, një skuadër që ka shumë vlera në çdo drejtim. Ekipi që ka aktualisht, sipas mendimit tim është më i miri që ka pasur në histori, qoftë individualisht, por edhe ato lojtarë që ka në stol. Ata ndaj nesh bënë një ndeshje shumë të mirë, ishin agresivë dhe nuk na lanë të dilnim në lojën tonë dhe të krijonim lojën që kishim përgatitur në stërvitje. Duhet ta harrojmë dhe të fokusohemi dhe të gjejmë motivimin për ta fituar këtë ndeshje. Kemi treguar që jemi përmirësuar. Ndaj Andorrës kemi precedentë jo të mirë. Atje fituam 0-1, mund të kishim bërë edhe më shumë. Në një nga ndeshjet e para të miat edhe kemi barazuar 2-2, është ekip i vështirë, na ka bërë të vuajmë dhe nuk do të jetë e lehtë. Duhet të kemi fokusin e duhur dhe agresivitet, për ta mbyllur sa më mirë këtë fushatë eliminatoresh. Sa i përket gabimeve, kemi gabuar në ndeshjen me Poloninë ndërsa në ndeshjet e tjera kemi bërë paraqitje të mira dhe kemi treguar vlerat tona. Tani na duhet një sforco e fundit për ta mbyllur mirë.

Ndeshja me Andorrën nesër – Duhet të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të bëjmë gjithçka për të arritur një rezultat të mirë. Kemi punuar vazhdimisht për të ardhmen, nuk mbetet për t’u bërë një gjë e tillë në ndeshjen me Andorrën. Kemi shumë mungesa në këtë ndeshje 9-10 lojtarë që mungojnë për shkak dëmtimesh apo skualifikimesh nga kartonët. Kam një grup në dispozicion dhe do të marr maksimumin. Do të nxjerr në fushë lojtarët më të mirë. Do të ketë edhe ndryshime, do të luajnë edhe lojtarë që nuk kanë luajtur me Anglinë. Duhet të kemi kujdes me Andorrën, të hymë në fushë me mentalitetin e duhur, inteligjencën e duhur dhe të mos rrezikojmë. Duhet të kemi durim deri kur të zhbllokojmë rezultatin.

Gjendja e Brojës? – Broja dhe klubi kërkuan që të rikthehej në klub pasi kishte probleme me kaviljen. Ai nuk mundi të bashkohej me ne n ditet e para sepse i ishte nënshtruar testeve mjekësore. Salihi ka qenë në Angli për ta parë në ndeshjen e fundit dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme. Edhe stafet mjekësore kanë qenë në kontakt me njëra-tjetrën për gjendjen e tij. Erdhi një ditë para ndeshjes dhe e pamë që kishte sërish shqetësime. Për shkak se kishte dhimbje, na kërkoi që të kthehej në klub për të vazhduar rikuperimin atje.

Lojtarët që do luajnë nesër – Ata që do të luajnë nesër do të jenë 100% në gjendjen e tyre fizike. Për mua i gjithë ekipi është i rëndësishëm. Duhet të kemi ekuilibrin e duhur ndaj Andorës dhe të luajmë me shumë kujdes për të marrë këto tre pikë që do të na bënin ta mbyllnim këtë fushatë mirë. Nuk kemi arritur më parë kaq pikë. Mbetet pak peng paraqitja ndaj Anglisë. Ndeshja jonë kyç ishte ajo ndaj Polonisë, që ndryshoi gjithçka dhe mund të kishim bërë edhe më mirë. Tani ndaj Andorrës është e rëndësishme të marrim një fitore dhe të mos komplikojmë këtë fushatë kaq të mirë që kemi bërë. Duhet të bëj shumë ndryshime, thuajse 6-7 lojtarë që do ndryshojnë në formacion. Të gjithë lojtarët gëzojnë dhe meritojnë besimin tim. Kemi pasur disa probleme me dëmtime dhe covid që nga ndeshja me Poloninë. Edhe në ndeshjen me Anglinë m’u desh të bëja disa ndryshime të detyruara dhe pastaj u komplikua gjithçka. Shpresoj që t’i kem të gjithë gati në këtë ndeshje dhe të mos kem probleme.

Reagimi i tifozëve pas ndeshjes me Anglinë – Andorra për ne bëhet një ndeshje vendimtare që duhet fituar me çdo kusht dhe për këtë duhet të mendojmë. Nëse do të flasim sërish për ndeshjen me Anglinë, janë 4 lojtarë titullarë të Manchester United, te Chelsea, te Tottenham, Liverpool, një grup lojtarësh që luajnë në Angli dhe në Europë. Kështu që duhet ta marrim parasysh këtë gjë dhe më vjen keq që humbëm me atë rezultat, por ndaj një Anglie të tillë, që ne u përballëm në momentin më të keq, me mungesa dhe dëmtime, ne nuk shkuam në Londër me 100% të mundësive që kishim. Anglia ishte në 100% e saj dhe në kushtet kur duhet ta fitonte ndeshjen. Ishin të motivuar, diferencat fizike ishin shumë të mëdha. Të kritikojmë Shqipërinë për këtë humbje, është fare e lehtë. Na vjen keq, por u përballëm me një kundërshtar të fortë. Kritikat i pranoj, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm me kë kemi luajtur. Peng kam ndeshjen me Poloninë, kur qoftë me lojtarët e formacionit dhe ato të stolit, shkonim rreth 16, për shkak të dëmtimeve dhe covid. Po t’i kishim të gjithë në dispozicion, ndoshta edhe mund të kishim marrë një barazim. Për nesër kam rreth 16 lojtarë, kam thirrur Muçin dhe Çokaj për të mbuluar mungesat. Nuk kemi pasur fat në ndeshjet e fundit, me problematikat që kemi pasur. Duhet të bëjmë maksimumin. E kuptoj që tifozët janë të zhgënjyer, por duhet të jemi të qëndrueshëm në vlerësimet që i bëjmë skuadrës. Jo kur skuadra është mirë, ne ta lavdërojmë dhe kur skuadra është keq ne ta kritikojmë. U përballëm me Anglinë që i kishte të gjithë tifozët titullarë dhe në gjendje të mirë, në mesin e sezonit. Mendojmë për ndeshjen me Andorrën dhe vetëm kjo vlen tani.

Mbrojtësi Elseid Hysaj foli për ndeshjen ndaj Anglisë, që i ka mërzitur jo pak kuqezinjtë, por që prej ditës së djeshme janë të fokusuar vetëm te ndeshja që do të zhvillojnë nesër me Andorrën. Sipas Hysaj, ky ekip nuk është i lehtë dhe skuadra duhet të jetë e qetë, për të mbajtur edhe pozicionin e tretë në grup.

Humbja me Anglinë – Është një humbje që na ka humbur pak motivin, por me këto dy ditë që kanë kaluar, jemi bashkuar të gjithë bashkë dhe po mundohemi të harrojmë atë rezultat. Të jemi të përqëndruar për ndeshjen e ardhshme dhe ta mbyllim mirë këtë kompeticion. Anglia ka lojtarë me nivel të lartë dhe është normale që ata do na vendosnin në vështirësi. Besoj që gjëja më e keqe ishin golat që morëm. Ne u munduam të kishim mbrojtje të fortë, por u dëmtuan dhe lojtarë te ne. Duhet të mësojmë nga gabimet që kemi bërë, por duhet të dimë që ishte Anglia dhe ka lojtarë yjet e botës.

Andorra? – Andorra është një ekip që bezdis të gjitha skuadrat, nuk është e lehtë të përballesh. Por edhe ne kemi përmirësuar. Jemi rritur më shumë se përpara dhe duhet ta dimë që është një ekip i vështirë dhe nuk duhet ta marrim lehtë. Duhet të jemi të qetë në fushë dhe kur të kemi momentin ta shfrytëzojmë.

A e mbajmë dot vendin e tretë? – Vendi i tretë kalon nga kjo ndeshje. Rrezikojmë, por po punojmë për të rregulluar gabimet që kemi bërë dhe unë besoj te ky ekip dhe do futemi në fushë për të fituar ndeshjen. /Gazeta Sinjali Sporti/