image Refugjatë ukrainas arrijnë në Serbi

Rajon

Refugjatë ukrainas arrijnë në Serbi

news image

Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Serbi konfirmuan se në këtë vend kanë arritur refugjatët e parë nga Ukraina.

“Për momentin, ata [refugjatët] janë njerëz që vijnë te të afërmit dhe miqtë. Po na pyesin se si dhe ku të regjistrohen dhe si të marrin mbrojtje”, tha për Radion Evropa e Lirë Radosh Gjuroviq, drejtor i Qendrës joqeveritare për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Azilkërkuesve.

Sipas të dhënave që disponon kjo qendër, në Serbi aktualisht ka vende për pritjen e rreth 6,000 personave, ndërsa kjo organizatë pret mbërritjen e mbi 10,000 refugjatëve nga Ukraina.

“Afërsia e Ukrainës kërkon që ne të fillojmë të përgatitemi për ardhjen e papritur të njerëzve. I bëjmë thirrje shtetit që të rrisë kapacitetin e tij të pritjes sa më shpejt që jetë e mundur”, tha Gjuroviq.

Refugjatë nga Ukraina në kufi me Rumaninë.
Refugjatë nga Ukraina në kufi me Rumaninë.

Sipas ligjeve aktuale, qytetarët e Ukrainës mund të qëndrojnë në Serbi për një muaj pa viza.

Megjithatë, tha Gjuroviq, kjo nuk e zgjidh problemin nëse paraqitet një numër i madh i refugjatëve që nuk kanë strehim.

Sipas tij, Serbia duhet të miratojë një akt për mbrojtjen e përkohshme të refugjatëve.

Serbia, ndryshe nga shumica e vendeve të Evropës, nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

/GazetaSinjali/