Moska zyrtare ka deklaruar se është e hapur për dialog me vendet evropiane, por nuk do të pranojë ultimatume, në një kohë kur sinjalet për rifillim të kontakteve mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë po shtohen pas një periudhe të gjatë izolimi diplomatik që nga nisja e luftës në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se logjika e shëndoshë dikton nevojën për kontakte të tilla, duke theksuar se në agjendë ekzistojnë shumë çështje komplekse. Megjithatë, ai nënvizoi se vendet evropiane duhet të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj Rusisë.
“Evropianët kanë një keqkuptim shumë serioz. Ata supozojnë se negociatat me Rusinë duhet të zhvillohen nga një pozicion force dhe duke u mbështetur në dobësinë e Rusisë. Ky është gabimi më i madh. Një qasje e tillë nuk do të çojë askund”, u tha ai gazetarëve.
“A buron kjo nga paaftësia e evropianëve, nga dezinformimi apo nga budallallëku? Nuk e dimë me siguri, por ky është një fakt”, shtoi Peskov.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime me qeveritë evropiane, por sipas tij hapi i parë duhet të vijë prej tyre, pasi vendet evropiane kanë ndërprerë marrëdhëniet me Moskën. Bashkimi Evropian ka miratuar 20 pako sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, raporton Reuters.
Pas më shumë se një viti jashtë përpjekjeve diplomatike dhe duke ia lënë Donald Trumpit ndërmjetësimin për përfundimin e konfliktit, Bashkimi Evropian ka nisur gradualisht hapjen e kanaleve të komunikimit me Rusinë.
Zyra e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka zhvilluar javët e fundit “kontakte të shkurtra në nivel diplomatik” me Kremlinin për të hapur kanalet e komunikimit, tha një zyrtar i BE-së.
Ndërkohë, kancelari austriak Christian Stocker deklaroi në një intervistë për Financial Times se Bashkimi Evropian duhet të përfitojë nga “momenti i favorshëm” i krijuar rreth bisedimeve për paqen në Ukrainë dhe të shtyjë përpara përpjekjet për rifillimin e negociatave me Putinin.
Peskov tha se Rusia është e gatshme për dialog nëse pala tjetër tregon vullnet për bisedime të vërteta, “jo për moralizime apo, veçanërisht, për vendosjen e ultimatumeve”.
Megjithatë, nisma e Costës ka nxjerrë në pah ndarje brenda Bashkimit Evropian. Në samitin e liderëve evropianë në Bruksel, disa shtete anëtare thanë se nuk ishin konsultuar paraprakisht dhe se BE-ja duhet të fokusohet në rritjen e presionit ndaj Rusisë.
Nga ana tjetër, Ukraina pretendon se po e kthen situatën në favor të saj përmes intensifikimit të sulmeve me dronë në thellësi të territorit rus, të cilat kanë goditur porte, rafineri dhe infrastrukturë strategjike. Moska e kundërshton këtë vlerësim dhe këmbëngul se do të vazhdojë luftimet për të arritur objektivat e saj nëse nuk arrihet një zgjidhje diplomatike.
Guvernatori i rajonit të Moskës njoftoi se një vajzë tetëvjeçare humbi jetën gjatë një sulmi masiv ukrainas që goditi kryeqytetin rus dhe zonat përreth një ditë më parë. Sulmi, i kryer me qindra dronë, shkaktoi për herë të dytë brenda tri ditësh zjarr në një rafineri të madhe nafte në juglindje të Moskës.
“Sulmet me dronë vazhdojnë. Po merren masat e nevojshme për të zbutur pasojat e tyre”, tha Peskov.
I pyetur nëse Putini kishte parë pamjet e rafinerisë në flakë, Peskov u sugjeroi gazetarëve të shihnin edhe imazhet nga qytetet ukrainase që janë goditur nga forcat ruse.
“Këto sulme do të vazhdojnë”, deklaroi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!