Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova beson se Kosova nuk ka pasur të drejtë ta hapte asnjë mision diplomatik në Jerusalem.
Zakharova, thotë se kjo madje është çështje e rregulluar në Këshillin e Sigurimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Ky hap është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas së cilës akoma nuk është rregulluar e drejta e Kosovës për të pasur marrëdhënie speciale diplomatike me vendet e tjera. Në këtë kontekst, ne do të dëshironim të theksonim edhe njëherë pozicionin tonë parimor mbi Jerusalemin: qyteti duhet të jetë kryeqyteti i dy shteteve të pavarura të Palestinës dhe Izraelit, i hapur për besimtarët e të tri feve monoteiste”, tha Zakharova.
Ajo tha gjithashtu se pozicioni i Rusisë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është që “Beogradi dhe Prishtina duhet të gjejnë një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët, e cila do të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe që duhet të jetë në interes të popullit të Serbisë”. /Gazeta Sinjali/