Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u intervistua lidhur me kallëzimin penal të ngritur kundër tij dhe presidentit Hashim Thaçi.
Sipas Veselit, rasti i “Syrit të Popullit” është riaktivizuar nga LVV për ta fshehur dështimin për lidhjen e koalicionit qeveritar me LDK-në, shkruan Gazeta Sinjali.
“Tentativa për t’i ikur të vërtetës, paaftësia për të ndaluar koalicionin qeveritar, me këtë improvizimin që është Syri i Popullit, është paaftësia për të krijuar premtimin që e kanë pasur para qytetarëve të vendit”, ka thënë Veseli.
Ai është shprehur i bindur pas organizatës “Syri i Popullit”, ashtu siç kishte deklaruar edhe në seancë gjyqësore, qëndrojnë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
“Syri i Popullit është reale, ka njeri të plagosur, ka veprime konsistente, ka djegie të makinave, ka sulme të eskortës së kryeministrit, ministrave, deputetëve, familjeve, të cilat i ka bërë Syri i Popullit, janë pikërisht ata që i kam përmendur, pavarësisht se ndonjë prokuror i korruptuar ose si frikësohet se në rrethana të reja mund t’i mbyllë rastet, secili duhet me u përgjigj për veprimet që i ka kryer, sa për mua do t’i shkoj deri në fund aspektit ligjor, edhe bash s’më bën përshtypje për asnjë individ”, ka thënë ai.
Para pak çastesh ka përfunduar intervistimi i kryetarit të LVV-së, Albin Kurti në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ndërkaq aty është paraqitur për intervistim edhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca.
Kurti e Konjufca kishin ngritur kallëzim penal kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, me akuzat se ata kishin gënjyer gjatë seancës gjyqësore për rastin “Syri i Popullit” nën betim. Tani, Kurti dhe Konjufca janë ftuar nga Prokuroria për t’i argumentuar akuzat e tyre. /Gazeta Sinjali/