image Reagon Universiteti i Prishtinës: Isa Mustafa s’ka marrë rrogë nga ne që nga viti 2016

Arsim

Reagon Universiteti i Prishtinës: Isa Mustafa s’ka marrë rrogë nga ne që nga viti 2016

news image

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka reaguar ndaj raportimeve, sipas të cilave, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili është edhe profesor në Fakultetin Ekonomik në këtë universitet, është duke u paguar nga UP-ja, pa mbajtur mësim.

Në reagimin e Universitetit të Prishtinës thuhet se Mustafa nuk ka pranuar pagë nga ky universitet që nga dhjetori i vitit 2016.

“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” reagon ndaj qarkullimit në medie dhe në platforma të tjera online, të një lajmërimi që prof. dr. Isa Mustafa është duke u paguar nga ana e UP-së pa mbajtur mësim. Me anë të këtij sqarimi për medie dhe për opinion publik, informoheni që profesor Isa Mustafës nuk i është ekzekutuar asnjë pagesë nga UP-ja që nga dhjetori i 2016-tës”, thuhet në reagim.

Reagimi i këtij universiteti erdhi pasi që kryetari i Organizatës për Monitorimin e Universiteteve Publike në Kosovë “Organizata Studentore”, Mexhid Ramusa, tha se Mustafa ka më shumë se 4 vjet që po paguhet nga UP-ja pa shkuar fare në fakultet.

“Reagimi jonë është në lidhje me Fakultetin Ekonomik, ku ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, merr rrogë më shumë se katër vite pa ardhë asnjë ditë në universitet dhe pa mbajtur asnjë orë mësimi. Këtë ua dëshmoj unë qartë se jam edhe student i këtij universiteti i nivelit Master dhe i kam dy lëndë tek i njëjti profesor dhe nuk ka ardhë asnjë orë me mbajtë mësim. Ne si organizatë për monitorimin e Universiteteve Publike e kemi monitoru dhe hulumtu këtë rast dhe është 100 për qind i vërtetë. Kërkojmë nga rektorati dhe Prokuroria e Shtetit që të merren masa jo vetëm ndaj këtij profesori, por të gjithë profesorëve që janë me ndikim politik dhe marrin paga dhe dëmtojnë buxhetin e universitetit pa mbajtë asnjë orë” ka deklaruar ai./Gazeta Sinjali/