image Sindikata e PTK-së reagon për uljen e pagave: Nuk u konsultuam, Bordi veproi me nguti

Kosovë

Vendimi/ Sindikata e PTK-së reagon për uljen e pagave: Nuk u konsultuam, Bordi veproi me nguti

news image

Pas vendimit të Bordit të Telekomit të Kosovës për zbritjen e pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrje prej 10 deri në 20%, ka reaguar kryetari i federatës sindikale të PTK-së, Lamih Balaj, i cili ka thënë për Gazetën Sinjali se ky vendim është i ngutshëm.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të PTK-së, ka deklaruar se nuk janë lajmëruar paraprakisht nga bordi për këtë vendim, derisa, të njëjtin e kanë marrë vesh vetëm përmes një emali, që iu është nisur të gjithë punëtorëve pak minuta para orës 16:00.

E për këtë vendim dhe formës së njoftimit, Balaj ka thënë se raporti në mes të sindikatës dhe bordit të Telekomit është shkatërruar.

“Është një vendim me të cilin ne nuk jemi informuar më herët, një vendim i cili na ka ardh me imell pak para orës 16:00, unë besoj që është një vendim i ngutshëm, një vendim që nuk është konsultuar sindikata dhe është një gabim i madh që nuk është konsultuar. Ne zakonisht kemi pas raporte të mira për shumë vendime me bordin po si duket tani raportet tona do të hyjnë drejt një shkatërrimi po e them sepse mirëqenia e punëtorëve është e fundit e cila duhet me u prek “, ka thënë Balaj për Gazetën Sinjali.

Balaj ka njoftuar se ka marrë një email zyrtar për tu takuar të hënën me Bordin e Telekomit në orën 10:00. Sipas tij, të gjitha vendimet e mëtutjeshme të sindikatës do të merren pas këtij takimi.

“Unë para pak minutash e kam marrë një email zyrtar nga kryetarja e bordit e cila me ka ftuar  në takim të hënën. Unë do të takohem bashkë me kryesinë të hënën”, ka thënë ai.

Kryetari i federatës Sindikale të PTK-së ka bërë të ditur se për të gjitha veprimet sindikale do të njoftohen punëtorët të hënën. /Gazeta Sinjali/