Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi ka reaguar pas lajmeve se vendi pritet të mbyllet për shkak të përkeqësimit të gjendjes nga COVID-19.
Ai tha se gastronomët nuk do ta pranojnë asnjë masë, pa u takuar me ministrin e Financave, Hekuran Murati për të diskutuar lidhur me mbështetjen financiare të gastronomisë.
Përmes një postimi në Facebook ai shkroi se “Situata është rënduar me COVID, ne nuk ngutemi si odat tjera me dhanë lajme, na shikojmë zgjidhje për situatën. Situata është rënduar, personalisht dje e kalova virusin e në shtëpi kam të infektuar. Spitalet kanë kolapse, e duhet bashkërisht të dalim nga kjo situatë që po përkeqësohet përditë. Nuk është zgjidhje me i mbyll bizneset , zgjidhje është me dalë me plan financiar si mundemi me i kompensuar këto dëme ekonomike që do të shkaktohen”.
Ai madje tha se më mirë është të mbyllen të gjitha, e të subvencionohen, se sa të punojnë pa mbështetje financiare.
“Shoqata e Gastronomëve asnjë masë nuk e pranon pa e takuar Hekuran Muratin për të diskutuar mbështetjen financiare të gastronomisë!
Shoqata e gastronomëve ka inkurajuar vaksinimin, ka bërë fushatë të vaksinimit dhe ka bërë obligim për anëtaret e saj që të vaksinohen të gjithë!
Andaj, e lusim Qeverinë që të funksionojë si trung e jo si degë. Jemi të kuptueshëm ndaj situatës, mirëpo duhet kompensim!.
Më mirë të na mbyllni komplet e të na subvenciononi, se sa të na lejoni me punua në shi e të ftoftë, e pa mbështetje financiare!”, u shpreh Kllokoqi.
Ndër të tjera ai tha më mirë është të hapen qendra vaksinimi se sa të ashpërsohen masat.
“Terminët për vaksinim po vonohen, më mirë me hap qendra vaksinimi se sa ashpërsim të masave! Një gjilpërë në krahun tonë, një jetë e shpëtuar!”, tha ai.