Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar duke thënë se flamurin e UÇK-së, politikanët nuk duhet përdorur për interesa politike dhe se ai flamur e ka vendin në shoqatat e dalura nga lufta, memoriale e lapidarë.
“Flamuri i luftës së UÇK-së vendin e ka në Organizatën e Veteranëve dhe Shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së, në memorialet, komplekset, lapidarët e dëshmorëve, akademitë dhe muzetë e luftës, por edhe mund të përdoret nga qytetarët në shenjë respekti për luftën”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.
Gjithashtu në reagimin e tyre, OVL e UÇK-së, ka theksuar se institucionet e vendit duhet të kultivojnë vlerat e luftës dhe të vendosin ligj për flamurin e UÇK-së.
“Institucionet e shtetit të Kosovës kanë për obligim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës dhe kjo bëhet me anë të miratimit dhe zbatimit të ligjeve, dhe i bëjmë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që flamurin e UÇK-së të mos e përdorin për interesa politike”/ Gazeta Sinjali/