image KMDLNj: Të hapen rrugët e bllokuara në veri të Kosovës - Sinjali

KMDLNj: Të hapen rrugët e bllokuara në veri të Kosovës

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas incidenteve në Zubin Potok e Zveçan, duke kërkuar të hapen rrugët e bllokuara në veri të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

KMDLNj thekson se dislokimi i ushtrisë të Serbisë afër kufirit të Kosovës si dhe xhandarmërisë serbe është sinjal i qartë i synimit të Serbisë për destabilizim të situatës.

KMDLNj ka reaguar ashpër për situatën në veri duke e quajtur shfrenim të dhunës dhe urrejtjes të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj pa dallime etnike, politike, racore etj.

Reagimi i plotë i KMDLNJ:

Ekstremistë nacionalistë serbë, të përkrahur nga kryetari i Serbisë, ndryshe kriminel lufte, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Mbrojtjes, luftënxitësi Vulin, përveç se bllokuan rrugët drejt pikëkalimit kufitar në Bërrnjak dhe Jarinjë, sipas ministrit për Punë të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sfeqla, sot sulmuan me mjete plasëse Qendrat për regjistrim të automjeteve në Zubin Potok dhe Zveçan duke i shkatërruar ato.

Ministri Sfeqla i cilësoi si vepra terroriste. KMDLNj gjykon ashpër këtë shfrenim të dhunës dhe urrejtjes ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj pa dallime etnike, politike, racore etj., dhe kërkon ndërmarrje të menjëhershme të masave për lirimin e rrugëve të bllokuara në mënyrë që të realizohet njëra ndër të drejtat elementare të njeriut, liria e lëvizjes për të gjithë. Dislokimi i ushtrisë të Serbisë afër kufirit të Kosovës si dhe xhandarmërisë serbe është sinjal i qartë i synimit të Serbisë për destabilizim të situatës.

Qëndrimi oportunist i bashkësisë ndërkombëtare që barazon një të drejtë dhe detyrim kushtetues për mbrojtje të integritetit territorial dhe shtrirje të sovranitetit brenda territorit me ndërhyrje kriminale të Serbisë në punë të brendshme përmes instrumentalizimit të qytetarëve serbë të Kosovës dhe bandave kriminale, jo që nuk kontribuon në qetësimin e situatës por inkurajon elementët radikalë dhe kriminalë që të eskalojnë situatë pa u rrezikuar se do të përgjigjen për aktet kriminale.

KMDLNj fton të gjitha partitë opozitare të reagojnë dhe veprojnë në përputhje me situatën duke lënë anash dallimet politike dhe partiake. Eskalimi i papenguar i situatës dhe qëndrimi oportunist i bashkësisë ndërkombëtare bartë rrezik që Kosovës t’i imponohet një zgjidhje e dëmshme. Reciprociteti i vendosur për targa duhet të respektohet deri sa të arrihet një zgjidhje e pranuar për të gjithë./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin