Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, që e dënoi atë me gjobë prej 1250 euro për sulmin ndaj ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
Dreshaj ka thënë se nuk pajtohet me dënimin dhe se sapo të kthehet nga Gjermania do të ankohet.
Ai shtoi se nuk është në rregull të dënohet me këtë formë, pa e pyetur askush për rastin.
“Jam në Gjermani deri në fillim të nëntorit, por për rastin do të ankohem sa të kthehem. Nuk e pranoj këtë vendim, nuk është në rregull me më dënuar pa më thirr askush me më pyet asgjë, nuk e di as emrin e gjykatësit. Nuk po e arsyetoj veprën time, sepse i kam kërkuar falje Arbenit, familjes së tij, familjes sime e votuesve, por vendimin do ta ankoj sa të kthehem në Kosovë “, tha Dreshaj për Klan Kosova.
Bashkë me ish-deputetin e AAK-së u dënua edhe ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.