Besnik Mustafa, djali i ish-kryeministrit Isa Mustafa, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje e akuzoi atë ditën e sotme për terminal doganor dhe keqpërdorim me anë të një videoje të publikuar në Facebook.
Lidhur me këtë, Mustafa tha se “sot, si djem të Isa Mustafës, u akuzuam dhe u shantazhuam nga mediat e VV-së, -parti në pushtet për Terminal Doganor”.
Ai tha se kompania “Intereuropa” me veprimtari themelore depo doganore publike, transport dhe shpedicion është kompani Sllovene me seli në Koper të Sllovenisë.
Sipas tij, pushteti për nevoja të propagandës, kompaninë Sllovene dhe terminalin e saj e bënë të familjes së tyre.
“E gjithë kjo për të shantazhuar dhe kërcënuar në emër të Byros së tyre politike për konfiskim. E unë u them, urdhëroni dhe konfiskone ose mbylleni këtë kompani por do të keni punë me Shtetin Slloven e jo me familjen Mustafa, sepse nuk është e familjes sonë, por para se ta bëni bisedoni me shtetin Slloven. Nuk është as e LDK-së, prej së cilës frikësoheni aq shumë”, shkroi ai në Facebook.
Të hënën, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar sërish një video përmes së cilës ka përmendur ish-pushtetarë e deputetë, për të cilët ka thënë se kishin përvetësuar terminale doganore.
VV-ja ka shkruar se në Republikën e Kosovës terminalet në çdo cep të saj kanë qenë në pronësi private të lidhura ngushtë me politikën.
Sipas VV-së, 37 milionë euro i kanë përvetësuar për 1 vjet vetëm prej 10 terminaleve.
“370 milionë euro për 10 vjet prej këtyre Terminaleve. Ndërkaq tash Qeveria Kurti ka filluar kthimin e terminaleve në shtet prej nga do të përfitojë Republika”, thuhet në njoftim.