Pas akuzave të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxhës, se përzgjedhja e Seb Bytyqi në bordin e KShC-së ishte bërë pa kriter ka reaguar ky i fundit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sebi Bytyqi ka thënë se nuk ishte në dijeni se kush ishte pjesë e komisionit përzgjedhës e as kush ka votuar për të.
“Nuk e di kush ka qenë në komision përzgjedhës, dhe se kush i ka vlerësuar kandidatët. Nëse nuk më kanë përfshi mua në listën e ngushtë, atëherë po u them çelni sytë, nuk kanë kandidatë më të përshtatshëm. Unë kam përvojë të gjatë në arsim. Kam përvojë edhe në cilësi, në akreditim edhe në sektorin publik dhe privat”, ka pohuar në Frontal ai.
Tutje ai ka shtuar se për shkak të përvojës së tij, nuk ka njeri më të duhur për anëtar të bordit të KShC-së. Sipas tij njoftimi atij i ishte dhënë nga ministria.
“Përveç përvojës, lëndë e studimit tim është institucionet publike ku përfshihen universitet. Person ma të përshtatshëm për të hyrë në short listë nuk ka. Më pas unë nuk kam asnjë informacion se çfarë ka bërë komisioni. Më pas vetëm janë njoftuar nga ministria”, ka thënë ai.
E kësaj deklarate i ka reaguar Hoxha e cila ka thënë se askush nuk e ka vënë në diskutim angazhimin e Bytyqit. Ajo ka shtuar se PDK-ja po e kryen detyrën e tyre si opozitë.
“Askush nuk e vë në pikëpyetje angazhimin tënd. Mos e quaj diskutim të politizuar. Por e kemi për detyrë si opozitë që ta shohim procesin për brenda se si ka shkuar. Nuk po e vëmë në dyshim punën tyre”, ka potencuar deputetja e PDK-së./GazetaSinjali/