Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, shkruan Gazeta Sinjali.
Ahmeti tha se është i bindur që bashkëluftëtarët e tij do ta dëshmojnë luftën e drejtë të UÇK-së dhe se është i bindur që ish-krerët e luftës, po të kishin edhe një jetë, një mundësi, do të luftonin për liri dhe barazi.
“Jam i bindur që shokët e mi, bashkëluftëtarët e mi, do ta dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të kthehen ngadhnjimtarë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe drejtësinë vendore e ndërkombëtare. Unë e di se si unë, ashtu edhe shokët e mi, po ta kishim edhe një jetë, edhe një mundësi, edhe një kushtrim për të luftuar për liri dhe barazi, ne do ta bënim përsëri sepse besuam dhe besojmë në të drejtën e kombit tone”, shkroi Ahmeti në Facebook./Gazeta Sinjali/