Këngëtari i njohur shqiptar, Afrim Muçiqi ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për ndalimin e ahengjeve muzikore.
Ai thotë se pajtohet plotësisht me thirrjen e kolegut të tij, Labinot Tahiri për protestë, pasi mendon se kjo gjë po iu bëhet e padrejtë artistëve në tërësi.
“Deklarata e ministrit është keqkuptuar, në të gjitha portalet ka qenë që nuk do mbahen dasmat, por kjo nuk është përfundimtare. Është e padrejtë, pse mos të thuhet përfundimisht ndoshta”, ka thënë Muçiqi në RTV Dukagjini.
Muqiçi shton se nuk do ketë rrezik në një dasmë, përderisa nuk ka rrezik në Parlament – kur edhe aty janë afro 200 persona.
“Pajtohem plotësisht me Labinotin, sepse edhe unë si anëtar si artist i profesionit normalisht se i bashkangjitem kësaj thirrjeje. Ndoshta tepër me qenë ekstreme po megjithatë po du me ia shtu edhe Labit edhe të tjerëve, kur ka mundësi që në Parlament të mblidhen 200 veta në një sallë edhe të mos ketë rrezik pse të ketë rrezik në një dasmë, e cila tani falë zotit ka shumë restorante të bukura në Kosovë edhe me madhësi të mëdha në rast se nuk bëhen 500 dasmorë mund të bëhet me 200”, ka thënë mes tjerash ai.
Tutje, këngëtari i mirënjohur shton se kjo nuk i dëmton vetëm këngëtarët por edhe profesionet e tjera që janë të përfshira në këtë zingjir.