Pas sanksioneve të SHBA-së ndaj Kosovës si rezultat i padëgjueshmërisë së kryeministrit Kurti për de-eskalimin e situatës në veri, vazhdës së reagimeve iu është bashkuar edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Në reagimin e tij nuk është shkruar as edhe një fjalë e vetme, vetëm është publikuar flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke lënë të kuptohet qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës qysh nga themelimi i saj, në krahë të miqëve të Kosovës.
Para pak çastesh përmes një komunikate për media, LDK shprehu shqetësimin për të gjitha këto ngjarje, duke kritikuar Qeverinë e Kosovës në krye me Albin Kurtin, për qasjen ndaj aleatëve ndërkombëtarë.
“Por e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj”, thuhet në komunikatë.