image Reagimet për 'injorimin' e Kosovës nga ShBA, fajësohet Qeveria

Politikë

Reagimet për ‘injorimin’ e Kosovës nga ShBA, fajësohet Qeveria

news image

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të organizojë një “Samit për Demokracinë” më 9 dhe 10 dhjetor, në të cilin do të ftohen të marrin pjesë krerë të shteteve. Por ftesë për pjesëmarrje në këtë samit nuk mori Kosova. Kjo ka ngjallur shumë reagime, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndonëse nga Qeveria nuk u diskutua asgjë publikisht, në media dje është raportuar se Kosova nuk do të jetë pjesë e “Samitit të Demokracisë”, që organizohet nga aleati i Kosovës, ShBA-ja.

Mirëpo nga të parët që reaguan për këtë ‘injorim’ të Amerikës ishte këshilltari politik i kryeministrit Kurti, i cili fajësoi Qeverinë Hoti.

Jeton Zulfaj tha se ka pasur rënie të demokracisë për shkak të instalimit jokushtetues në qershor të 2020-s, duke iu referuar kohës që qeveriste Avdullah Hoti.

Kosova dhe qytetarët e saj s’kanë asnjë arsye për t’u hidhëruar por as për t’u dëshpëruar pasi rezultatet e ndryshimeve të mëdha demokratike që ata sollën këtë vit do t’i shohim të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen, ashtu siç do të shohim progres të gjithmbarshëm“, ka shkruar Zulfaj.

Ndërsa reagim pati edhe nga partitë opozitare. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj, tha se kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet me ShBA-në.

Ftoj kryeministrin Kurti sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon. Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik”, ka thënë Haradinaj.

Përpos Haradinajt, për këtë çështje reagoi edhe i pari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, duke thënë se Kurti mori atë që donte- vijën e kuqe të Amerikës.

“Kryeministri Kurti mori atë që donte. Nga Shtëpia e Bardhë, jo e kuqja, apo e gjelbërta, u vendos në grupin e shteteve që kanë vijë të kuqe nga Shtëpia e Bardhë. Dëm i madh për Kosovën”, deklaroi Pacolli.

Ndërsa sot ka reaguar edhe ish i dërguari nga ShBA-ja për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në administratën Trump.

“Biden përbuz Kosovën dhe Serbinë. Ai i rikthehet të luajturit politikë në rajon. Trump kujdeset thellë për njerëzit e Ballkanit. Ai hodhi poshtë lojërat e politikanëve të 20 viteve të fundit dhe në vend të kësaj nxiti krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik. Punë jo politikë!.”, ka shkruar Grenell.

E shpjegim për këtë ka dhënë edhe ambasada amerikane në Kosovë, e cila ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara ndaj Kosovës.

“Jo të gjithë partnerët mund të përfshiheshin në këtë iniciativë. Qëllimi ishte bashkimi i një grupi rajonal dhe socio-ekonomik të vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë si demokracitë e vendosura mirë ashtu edhe ato në zhvillim me diversitet të madhësisë së popullsisë, demografisë dhe vendndodhje. Si partner i palëkundur i Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për të avancuar dhe forcuar demokracinë, për të parandaluar prapambetjen demokratike, për të promovuar respektin për të drejtat e njeriut dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë ofrojnë për nevojat e tyre”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, beson se pasi vendi ynë nuk u ftua në Samitin e Demokracisë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, tash kryeministri Albin Kurti do t’i dallojë më mirë ngjyrat e Shtëpisë së Bardhë.

Shtepia e Bardhe nuk e ftoi Kosoven ne Samitin e Demokracise te organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden. Mbas tash besoj se Kurti do t’i dalloj me mire ngjyrat!”.

Ky samit do të mbahet online, mirëpo Biden synon që t’i mbledhë fizikisht pjesëmarrësit që të diskutohen angazhimet. Shtëpia e Bardhë tha se samiti është “një mundësi që udhëheqësit botërorë të flasin për sfidat me të cilat përballet demokracia, të dëgjojnë njëri -tjetrin dhe qytetarët e tyre si dhe të nxitet bashkëpunimi ndërkombëtar”.

/GazetaSinjali/