image Rasti i polices që vrau familjarët e më pas veten në Gjilan, çka deklaroi dëshmitari në Gjykatë

Drejtësi

Rasti i polices që vrau familjarët e më pas veten në Gjilan, çka deklaroi dëshmitari në Gjykatë

news image

Sot është mbajtur seanca e radhës për rastin e polices nga Gjilani  Vladete Bllaca, e cila vrau familjarët e më pas edhe veten, ku po akuzohet përgjegjësi i ruajtjes së armëve në stacionin policor në Gjilan, Xhavit Azizi. Në seancën e sotme është dëgjuar dëshmitari Abedin Kadriu.

Kadriu, i cili është zyrtar i analizave të inteligjencës në Gjilan thotë se nuk kishte vërejtur ndonjë sjellje jo të rregullt të tani të ndjerës Valdete Bllaca dhe se nuk i kujtohet se kur e kishte dorëzuar armën ajo.

Ai ka thënë se mbetet pranë deklaratës së dhënë në polici dhe Prokurori dhe se në ditën kritike ka qenë në punë dhe se para zyrës i kishte vërejtur shumicën e eprorëve të stacionit.

Sipas Kadriut, zyra ka qenë e mbyllur ashtu që i kishin thënë të mos e hapë zyrën sepse nuk ka të drejtë dhe shton se aty e kishte marrë vesh se çfarë kishte ndodhur.

 “Në zyrë kam qenë i caktuar vetëm, mirëpo në zyrën time ka qenë edhe një sirtar i hekurit, i ndarë në disa pjesë, secila me çelës të ndarë, po ashtu atë sirtar nuk e kam menaxhuar, por te ai sirtar ka qenë i ngarkuar Xhavit Azizi”, ka thënë ai.

 “Para se me ndodhë rasti unë kam qenë në pushim mjekësor një javë, pas ardhjes në punë e kam vërejtur që dera ka qenë e hapur, mirëpo nuk e di se a e kam harruar unë apo ka qenë dikush tjetër, nuk e di. Po ashtu, nuk e kam vërejtur nëse ka pasur ndonjë gërvishtje”, deklaroi Abedin Kadriu.

Tutje, dëshmitari tha se zakonisht kur kanë shkuar zyrtarët policorë në pushime kanë pasur për detyrë që armët t’i dorëzojnë në stacion, po ashtu kjo kishte vlejtur edhe për zyrtarët policorë që e kanë pasur të ndaluar që t’i bartin armët, por thekson se nuk i kujtohet se tani e ndjera kur e ka dorëzuar armën.

Ai ka thënë se para se të ndodhë rasti, tani e ndjera Valdete kishte punuar me rroba civile, mirëpo nuk kishte pasur njohuri që ajo ka pasur probleme psikike, ngase e njëjta ka qenë edhe e dobët me shëndet dhe thotë se kishte menduar që ka ndonjë sëmundje tjetër kronike.

“Nuk kam vërejtur ndonjë sjellje jo të rregullt të saj”, tha dëshmitari, shkruan Betimi për Drejtësi.

Lidhur me pyetjen e anëtarit gjykues, gjyqtarit Islam Thaçi se kush e ka zëvendësuar Xhavitin kur ka munguar, dëshmitari ka thënë se e kanë zëvendësuar kolegët me të cilët ka punuar në zyrë.

Prokuroria Themelore në Gjilan më 5 janar 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Xhavit Azizit, pasi “i njëjti nga 7 korriku 2017 deri më 18 shkurt 2020, si zyrtar i personelit në Stacionin Policor në Gjilan – përgjegjës për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policorë, ka mbajtur çelësin e sirtarit metalik ku janë mbajtur armët, e në të cilin sirtar është mbajtur edhe arma zyrtare e zyrtares policore Valdete Bllaca, ashtu që duke mos i ndërmarrë veprimet e domosdoshme, të cilat ishte i detyruar t’i ndërmerrte, tani e ndjera, zyrtarja policore Valdete Bllaca, i ka fotokopjuar çelësat e zyrës dhe sirtarit metalik dhe nga aty e ka marrë armën e vet zyrtare të llojit “Gllock”, e cila armë i është sekuestruar për shkak të gjendjes shëndetësore psikike më 18 shkurt 2020, e me të cilën armë në shtëpinë e saj kishte vrarë prindërit, dy vëllezërit edhe veten.”

/GazetaSinjali/