image Rasti i 53 milionëve, reagon Prokuroria Speciale: Kemi ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit B.T

Drejtësi

Rasti i 53 milionëve, reagon Prokuroria Speciale: Kemi ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit B.T

news image

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dalë me një reagim pas raportimeve se i dyshuari për rastin e 53 milionëve është i paqasshëm për prokurorinë.

Kjo prokurori ka konfirmuar se kanë ngritur aktakuzë kundër të pandehurve P.L, N.SH dhe E.B.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se lajmi i mbrëmshëm i publikuar në edicionin e lajmeve qendrore të KTV-së, me titull “I dyshuari për 53 milionët, përditë në Ministri e “i paqasshëm për Prokurorinë”, është i pasaktë, për faktin se kundër të pandehurit B.T,  Prokuroria ka ngritur aktakuzë më datë 18 shkurt 2022, për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë’’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, të kryer në bashkëkryerje me të pandehurit P.L, N.SH dhe E.B për të cilët është ngritur aktakuzë më datë 04 shkurt 2022”, thuhet në njoftimin e tyre.

Po ashtu, kjo prokurori ka treguar se ndaj të pandehurit B.T është marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve.

Bazuar në rezultatet e hetimeve, Prokuroria Speciale me datë 14 janar 2022, ka marr aktvendim për zgjerim të hetimeve ndaj të pandehurit B.T., për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje me të tjerët kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë’’  nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se ndaj B.T kanë kërkuar urdhër arrest nga Gjykata, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij për t’u deklaruar.

Pas zgjerimit të hetimeve PSRK, ka bërë përpjeke ligjore që ta siguroj prezencën e të pandehurit B.T., për ta intervistuar. Për shkak të shmangies së personit për tu paraqitur në Prokurori, nga kjo prokurori janë ndërmarrë veprime ligjore për ta siguruar prezencën e tij për tu deklaruar, me ç’rast ka kërkuar urdhër arrest nga Gjykata, dhe njëkohësisht për shkak se janë plotësuar kushtet ligjore me datën 03 Shkurt 2022, ka pezulluar hetimet për të njëjtin”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ky reagim erdhi pasi që së fundmi është raportuar se ndaj një zyrtari në Ministrinë e Infrastrukturës, i cili po hetohej për aferën e pagesës së 53 milionë eurove, Prokuroria Speciale e ka pezulluar hetimin ndaj tij për shkak që ka qenë i paqasshëm.

/GazetaSinjali/