Ish sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen e ka quajtur gabim të madh vendimin e Bashkimit Evropian për mos hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai e ka bërë këtë koment përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter duke shpërndarë një shkrim me qëndrimin e Gordan Gërliç Radman ministrit të jashtëm të Kroacisë, vend ky që ka marr Presidencën e Bashkimit Evropian.
Ish kryeministri i Danimarkës tani kryeshef ekzekutiv i firmës për konsultime politike “Rasmussen Global”, e ka inkurajuar Kroacinë ,e cila ka marr krysimin e radhës së BE-së prej dje më 1 janar, që ta rikthejë këtë proces në rrugën e duhur në Samitin që do të mbahet në muajin maj të këtij viti.
“Pajtohem plotësisht me @grlicradman se mos hapja e bisedimeve të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një gabim i madh. Mbështetje e plotë për Presidencën Kroate të BE për të rikthyer procesin në rrugën e duhur përpara samitit në Zagreb këtë maj”, ka shkruar Rasmussen në Twitter, transmeton Gazeta Sinjali.
Kroacia në vitin 2013 u bë vendi i fundit që u bashkua me Bashkimin Evropian. Ky shtet, i cili po merr presidencën e BE për herë të parë, po kërkon të ringjallë ëndrrën për në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Ministri i jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërliç Radman ka ngritur pyetjen nëse vendimi i drejtuesve të BE-së në një samit në tetor, të udhëhequr nga Franca dhe i mbështetur nga Danimarka dhe Hollanda, ishte i saktë dhe të drejtë./ Gazeta Sinjali/