Partitë politike të cilat janë të interesuara të marrin pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit do të kenë kohë deri të premtën që të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listat me emrat e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Si edhe ne rastin e deklarimit të koalicioneve parazgjedhore, partitë politikë do ta ruajn momentin e fundit, për të dorëzuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë.
Kështu me gjasë do të veproj edhe koalicioni i subjekteve politike serbe në jug të Kosovës. Kryetari i Partisë Demokratike Progresiste, Nenad Rashiq, i cili është pjesë e këtij koalicioni ka thënë se ende ka kohë për të përfunduar listën.
“Ende është herët, kemi kohë deri të premten, sidoqoftë kemi bërë një listë përafërsisht, por do të presim edhe persona tjerë të cilët mund të jenë të interesuar”, ka thënë Rashiq për Telegrafin.
Sa u përket prtjeve nga zgjedhjet e 6 tetorit Rashiq ka thënë se ende është herët të flitet për këtë.
“Është herët të flasim për rezultatet, prandaj duhet të presim, të punojmë në terën dhe duhet të presim ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Rashiq.
Theksojmë se koalicioni mes dy partive dhe iniciativave qytetare serbe tashmë është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Rashiq ditë më parë kishte thënë se koalicioni i arritur mes Partisë Demokratike Progresiste dhe Partisë së Re të Kosovës, është bërë për të fuqizuar pozitën e serbëve brenda institucioneve të Kosovës.
“Esenca fillestare e organizimit të tillë që e kemi bërë sonte është një fuqizim të skenës politike serbe, ku jemi absolutisht në favor të fuqizimit të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës. Ashtu siç kemi treguar dhe kemi dëshmuar deri më tani të gjithë ne që jemi këtu, por po ashtu ata që nuk janë këtu për momentin. Një sfidë kryesore dhe një synim kryesor do të jetë fuqizimi i serbëve në institucionet e Kosovës në formë ku serbët autentik të Kosovës do të marrin përgjegjësi dhe do të marrin fuqi që ta vendosim për jetën e vet brenda Kosovës dhe brenda institucioneve të Kosovës”, kishte thënë Rashiq pas arritjes së koalicionit me Partinë e Re të Kosovës.
Fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 6 tetor. Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës pritet t’i kushtojë rreth 6 milionë euro.