Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka kritikuar zëdhënësin e Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili dje ka thënë se emërimi i tij në këtë post nuk është kushtetues.
Ministri Rashiq ka thënë se Stano nuk merr vesh shumë nga Kushtetuta e Kosovës.
Në një deklaratë për mediumin “Kosovo-Online”, ai i ka sugjeruar zyrtarit evropian që ta lexoi me kujdes aktin më të lart juridik të Kosovës.
“Kur e pashë biografinë e Stanos, nuk e pashë se ai ishte i njohur me Kushtetutën e Kosovës, ndaj i sugjeroj ta lexojë me kujdes”, ka thënë Rashiq.
Ai ka thënë se emërimi i tij në këtë pozitë ministrore është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Neni 94 thotë se kryeministri, sipas ligjeve të Kosovës, ka të drejtë të shkarkojë dhe emërojë ministrat pa pëlqimin e Kuvendit”, është shprehur Rashiq.
Edhe njohësit e çështjeve kushtetuese e kanë vlerësuar si antikushtetuese emërimin e Rashiqit në pozitën e ministrit për Kthim dhe Komunitete.
Rashiq është emëruar në këtë pozitë pas dorëheqje së kryetarit të Listës Serbe Goran Rakiq.