Sulmuesi nga Vushtrria e Kosovës i Werder Bremenit, Milot Rashica, do të tentojë ta dëshmojë sot se s’ka rënë nga forma – siç raportoi gazeta gjermane Bild të hënën – duke ia dhuruar skuadrës së tij një fitore në ndeshjen kundër Dortmundit të Erling Haalandit.
Werderi do ta pres Dortmundin sonte në orën 20:45 në stadiumin Qeserstadion, për ndeshjen e 1/8 të finales së Kupës së Gjermanisë, DFB Pokal.
Dortmundi është favorit në këtë skuadër, duke e marrë parasysh edhe formën e dobët nëpër të cilën po kalon Bremeni. Në anën tjetër, Dortmundi është në formë mbresëlënëse, veçanërisht pas transferimit të yllit norvegjez, Erling Haaland, i cili i ka shënuar shtatë gola në tri ndeshje.
Histori të ndryshme nga Haalandi gjatë këtij viti të ri kalendarik ka Rashica. Përkundër që ai është golashënuesi më i mirë i Bremenit këtë sezon me nëntë gola, ai s’ka shënuar në ndeshjet e fundit duke shtuar fjalët se s’është në formë të mirë.
Megjithatë, Rashica do të tentojë ta dëshmojë të kundërtën sot, duke tentuar ta vazhdojë ecurinë e shënimit të golave në tri runde radhazi të Kupës së Gjermanisë, pasi kishte shënuar në fitoret 6:1 kundër Atlas Delmenhorst dhe 4:1 kundër Heidenheimit.
Rashica ka shënuar në secilën nga pesë ndeshjet e fundit të kupës, duke e barazuar kështu rekordin e klubit që e mbanin Wynton Rufer, Uwe Reinders dhe Heinz-Dieter Hasebrink. Në vitin 2019, vetëm Robert Lewandowski kishte shënuar më shumë gola në këtë garë sesa kosovari.