Viola von Cramon, deputete e Parlamentit Europian dhe raportuese për Kosovën, ka thënë që është e pakuptimtë një ide të tillë që emri e Liqenit të Ujmanit të quhet “Liqeni Trump”, transmeton Gazeta Sinjali.
Kjo çështje, sipas saj, ngre dyshime se Kosova po përdoret për fushatën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që po kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
“Është gjë sot 1 prilli? Si mundet që dikush të japë diçka të tillë në shenjë mirënjohjeje për marrëveshjen? Thjesht pjesë e fushatës së Trumpit”, ka shkruar Viola në postimin e saj në Twitter.
Kujtojmë që i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell thotë se emërtimi i liqenit ka qenë një çështje serioze e diskutimeve midis dy palëve.
Kurse, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, është shprehur se kjo temë nuk ka qenë një dakordësi midis Kosovës dhe Serbisë, por vetëm një propozim nga ana e tij (Grenell). /Gazeta Sinjali/