Vetëm një javë më parë, raporti i Freedom House fliste për një demokraci hibride për Shqipërinë. Autori i këtij raportit për, Gjergji Vurmo i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, thotë për A2 se situata ndërkohë është përkeqësuar dukshëm.
“Situata ka precipituar ndjeshëm, nga viti 2019. Sot nuk duhet të relativizojmë debatin me çështje juridike, ose të tallashit. Sot duhet të flasim për demokracinë. Kjo ka qenë një protestë për demokracinë, një nga pak dritat në fund të tunelit që kanë frymëzuar shoqërinë civile”, thotë Vurmo.
Sipas tij “kemi të bëjmë me një rrëshqitje serioze drejt një regjimi autokratik. Viti 2020 do të jetë një vit i gjatë, për fat të keq ky është vetëm fillimi, pres gjëra edhe më të rënda. Janë hedhur shashka të ndryshme nga Qeveria si kanabizimi për të relativizuar atë që ndodhi sot”.
Por Vurmo nuk shpëton të gjithë klasën politike. “ Ka një zhgënjim të madh. Vota është dhëne gjithmonë për të ndëshkuar qeverinë aktuale sesa për të gjetur një alternativë më demokratike. Për fat të keq PD nuk është më demokratike sesa PS-ja”.
Studiuesi dëshiron edhe të saktësoi diçka mbi përleshjet midis disa protestuesve dhe forcave të policisë në pasdite. Sipas tij, protestuesit që kishin bllokuar rrugën “nuk e kanë provokuar policinë për asnjë moment, përkundrazi janë tërhequr zvarrë. Ajo rrugë e bllokuar nuk është nyje që bllokon qarkullimin e Tiranes. Unë kam përgëzuar qëndrimin e policisë në protestat e opozitës, por sot ishte diçka shumë e ndryshme. Është bërë që ne të merremi me brutalitetin e policisë, dhe jo për faktin kryesor, që sot demokracia ra në shesh”. /Gazeta Sinjali/