Dukagjin Pupovci është dorëhequr nga pozita e zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Kështu po raportohet sot në media.
Ndërkohë, Gazeta Sinjali ka kontakuar me Pupovcin për të marrë përgjigje mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.
Ndryshe, njohësi i çështjeve të arsimit, ishte emëruar zëvendësministër në prill të vitit 2021.
Pupovci është profesor universitar dhe ekspert i arsimit tashmë e disa vite. Ai shkollën fillore dhe atë të mesme i mbaroi në Prishtinë.
Studimet e matematikës i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës, kurse studimet pasuniversitare të magjistraturës në fushën e matematikës aplikative i përfundoi në Universitetin e Zagrebit, duke mbrojtur temën e magjistraturës me titull “Konvergjenca e metodave paralele për reduktimin e normës”.
Disertacionin e doktoratës me titull “Paralelizimi i disa metodave të tipit të Jakobit për zgjidhjen e problemit të vlerave vetjake” e mbrojti në FSHMN të Universitetit të Prishtinës.
Pupovci ka kontribuar në zhvillimin e dokumenteve të rëndësishme të politikave dhe është bashkautor i studimeve e artikujve në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor në Kosovë. Nga marsi i vitit 2000 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), organizatë joqeveritare e specializuar në fushën e arsimit.