Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se tre persona janë raportuar të zhdukur, shkruan Gazeta Sinjali.
Dje një person ka raportuar në polici se djali i tij nga fshati Kufcë e Epërme të Novobërdës ka dalë nga shtëpia që dy ditë dhe më nuk është kthyer. Ai zyrtarëve policorë iu ka thënë se nuk dinë asgjë për vendndodhjen e tij.
Rasti i dytë ka ndodhur në Shtime, ku një infermier në Qendrën Integruese ka raportuar se një pacient i kësaj qendre është larguar dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.
Ndërkaq, personi i tretë i zhdukur është raportuar nga drejtoresha e Qendrës së Shëndetit Mendor në Mitrovicë të Jugut, ku ka bërë të ditur në polici se një paciente është larguar nga kjo qendër që nga data 23 e muajit mars dhe nuk e dinë ende se ku ndodhet.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të tri rastet janë duke u hetuar.