Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për aksionin e Njësisë së Antidrogës në disa lokacione në Prishtinë, që rezultoi me dhjetëra kilogramë drogë të sekuestruar. Burimet e Sinjalit njoftuan se ajo që dihet deri më tani është se janë kapur rreth 15 kilogramë marihuanë.
Lajmin për zhvillimin e aksionit e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili s’ka dhënë më shumë detaje.
“Sot, më 13.10.2022, në Prishtinë, nga njësitet e antidrogës është zhvilluar një operacion policor. Me të dhënat tjera rreth operacionit do të njoftoheni pas përfundimit dhe kompletimit të rastit.”, tha Kelani për Sinjalin.
Ndërkohë që aksioni është duke vazhduar, të njëjtat burime kanë njoftuar se disa persona kanë qenë objekt hetimi, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rast dhe pritet edhe arrestimi i tyre.