Dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Fushë Kosovë janë arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën dyshimet për keqtrajtimin e një qytetari, raporton më herët Gazeta Sinjali.
Tashmë, veç arrestimit, ata janë suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Kështu kanë njoftuar këta të fundit përmes komunikatës, të cilët kanë dhënë detaje lidhur me rastin.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar dje një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë në Fushë Kosovë. Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e pasdites kur qytetari ishte ndaluar nga policia fillimisht për një kundërvajtje në trafik”, thuhet në njoftim.
“Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra”, thuhet tutje në komunikatë të IPK-së.
Sipas njoftimit IPK në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.