image Raportimet mbi lidhjet e dyshuara të presidentit Vuçiq me grupe kriminale ngrenë pikëpyetje në SHBA

Rajon

Raportimet mbi lidhjet e dyshuara të presidentit Vuçiq me grupe kriminale ngrenë pikëpyetje në SHBA

news image

Në fillim të muajit maj, revista javore e gazetës New York Times, botoi një artikull të gjatë mbi presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq që përmbante hollësi mbi dyshimet për lidhjet e tij me një grup kriminal, pjesëtarë të të cilit po ndiqen penalisht nën akuzat për kryerjen e një sërë krimesh, përfshirë trafik droge dhe vrasje.

Artikulli tërhoqi vëmendje ndërkombëtare dhe jo vetëm në Ballkan, ku rrjete të gazetarisë investigative kanë raportuar më parë mbi dyshime të ngjashme, të cilat zoti Vuçiq i ka mohuar.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentonte mbi besueshmërinë e pretendimeve që ngriheshin në artikullin e New York Times-it, megjithatë të paktën një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit e shpërndau lajmin në rrjetin e tij social.

Dyshimet e ngritura në artikull u shtruan edhe gjatë një seance dëgjimore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara mbi Ballkanin Perëndimor, muajin e kaluar.

Megjithatë, analistët e pavarur i shprehin hapur mendimet e tyre.

“Ishte një artikull tronditës dhe i tmerrshëm, që zyrtartët më të lartë të qeverisë janë kaq të lidhur me grupet kriminale. Mendoj se e kemi parë një gjë të tillë dhe në mjaft vënde të tjera, kjo ndërthurje mes qeverive autoritare dhe rrjeteve kriminale është një shqetësim në rritje”, tha për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, Gary Kalman, drejtor ekzekutiv i organizatës Transparency International në Shtetet e Bashkuara.

“Është e tmerrshme. Është vërtet shumë keq”, thotë Susan Rose-Ackerman profesore e ligjit dhe shkencave politike në universitetin “Yale” dhe bashkautore e librit “Korrupsion dhe Qeverisje”.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se lidhjet mes njerëzve që janë në pushtet dhe krimit të organizuar, krijojnë një formë ekstreme të korrupsionit politik.

Sipas artikullit të New York Times-it, lidhjet e policisë me grupin kriminal që drejtohej nga huligani i futbollit, Veljko Belivuku, ishin të dokumentuara.

Ndër të tjera, në artikull shkruhet se, “nuk ka shumë dyshime se Belivuku dhe grupi i tij janë në burg pasi EUROPOL-i arriti të deshifronte aplikacionin për mesazhe telefonike ‘Sky – ECC’, të cilin ata e përdornin për të komunikuar”.

Autori i artikullit, gazetari Robert F. Worth shkruante se Belivuku kishte dëshmuar në një seancë gjyqësore “se banda e tij ishte organizuar për nevojat dhe me urdhër të Aleksandër Vuçiqit”.

Mes të tjerash ai vinte në dukje se grupi kishte frikësuar kundërshtarët politikë të zotit Vuçiq dhe kishte parandaluar tifozët në ndeshjet e futbollit, që të lëshonin thirrje kundër zotit Vuçiq.

Gazetari thotë se ishte skeptik që presidenti serb Vuçiq të mos kishte qenë në dijeni të atyre që kishte bërë ky grup duke qenë se zoti Vuçiq “ushtron tani thuajse kontroll të plotë në çdo aspekt të jetës publike”, në Serbi./DW/

/GazetaSinjali/