image Raporti nga Banka Botërore për Kosovën, reagon Qeveria: Vlerësim i lartë

Politikë

Raporti nga Banka Botërore për Kosovën, reagon Qeveria: Vlerësim i lartë

news image

Qeveria e Kosovës e ka vlerësuar raportin e Bankës Botërore për Kosovën, i cili për dekadën e fundit e lavdëron Kosovën për të arriturat në sferën e ekonomisë.

Postimi i kryeministrit Albin Kurti gjatë ditës së sotme ku postoi statistikat nga Banka Botërore, nxiti reagime nga oponentët politikë, të cilat i quajtën mashtrime.

Kurti tha se duke u bazuar në këtë institucion, krahasuar me 10 vite më parë, Kosova ka arritur të rrisë të ardhurat për kokë banori deri për 50 për qind dhe ka zvogëluar shkallën e varfërisë për 35 për qind.

E qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në anë të një komunikate e ka vlerësuar raportin e Bankës Botërore.

Qeveria ka përmendur disa raporte të Bankës Botërore që tregojnë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Më poshtë është komunikatë e plotë e Qeverisë së Kosovës

”Në një komunikatë të lëshuar në fillim të kësaj jave, Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore, kanë thënë se ata mbështesin Kosovën në përshpejtimin e konkurrencës së saj për krijimin e vendeve të punës dhe standard më të lartë të jetesës”, thuhetb në komunikatë.

Sipas Bankës Botërore, brenda 10 viteve të fundit Kosova ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me një rritje prej afër 50% të të ardhurave për kokë banori dhe me një ulje prej 35% të shkallës së varfërisë, duke performuar më mirë sesa vendet me të ardhura të ngjashme për kokë banori.

Drejtori i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu është shprehur se Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i Ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin më cilësor për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm që mbron mjedisin dhe gjeneratat e ardhshme.

Në vitin e kaluar, Kosova kishte shënuar vlerën më të lartë ndonjëherë të eksporteve, rreth 920 milionë euro. Ndërkaq këtë vit vlera e eksportit pritet që për herë të parë kalojë shumën prej 1 miliard euro. Si rezultat, raporti eksport-import viteve të fundit ka shënuar përmirësim të dukshëm. Nga 1 me 9 sa ishte në vitin 2019, në më pak se 1 me 6 sa është aktualisht.

I njëjti institucion, muajin e kaluar ka publikuar raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, në të cilin parashikon që Kosova do ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor në tre vitet e ardhshme; 2023, 2024 dhe 2025.

/GazetaSinjali/