image Raporti i OKB-së: Skllavëria moderne rritet me 10 milionë njerëz në 5 vjet

Sociale

Raporti i OKB-së: Skllavëria moderne rritet me 10 milionë njerëz në 5 vjet

news image

Vlerësimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) sugjerojnë se 50 milionë njerëz ose një në çdo 150 njerëz, qëndrojnë në punë ose martesa të detyruara. Afro 10 milionë më shumë se studimi i mëparshëm i bërë 5 vite më parë.

Asgjë s’mund të justifikojë vazhdimësinë e këtij abuzimi me të drejtat e njeriut”, tha drejtori i përgjithshëm, Guy Ryder.

“Ne e dimë se çfarë duhet bërë… nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse. Sindikatat, organizatat e punëdhënësve, shoqëria civile dhe njerëzit e zakonshëm kanë të gjithë role të rëndësishme për të luajtur.”

Organizata e punës e OKB-së thekson se skllavëria nuk kufizohet në vendet e varfra larg botës perëndimore. Më shumë se gjysma ndodh në vendet më të pasura, sipas raportit.

Dhe, si puna e detyruar, ashtu edhe martesa e detyruar, llogaritet si skllavëri moderne. Në të dyja situatat ku personi nuk mund të largohet “për shkak të kërcënimeve, dhunës, mashtrimit, shpërdorimit të pushtetit ose formave të tjera të detyrimit”.

“Qëndrimi në punën e detyruar mund të zgjasë me vite, ndërsa në shumicën e rasteve martesa e detyruar është një dënim i përjetshëm”, thuhet në raport.

Rreth 27.6 milionë njerëz janë në punë të detyruar, përfshirë 3.3 milionë fëmijë. Nga këta fëmijë, më shumë se gjysma janë në shfrytëzim seksual komercial.

22 milionë njerëz të tjerë janë në martesa të detyruara, më shumë se dy të tretat e tyre gra, dhe shumë janë nën moshën 15 vjeç kur martohen.

Fakti që gjërat po përkeqësohen është rezultat i një përzierjeje komplekse të “krizave të ndërlikuara”, thotë raporti, të gjitha rrisin varfërinë dhe rrezikun e skllavërimit.

Pandemia e Covid-19, për shembull, shkaktoi ndërprerje të mëdha në të ardhurat e njerëzve, duke çuar në më shumë borxhe.

ILO thotë se pandemia ka çuar në një rritje të “varfërisë ekstreme globale” për herë të parë në 20 vjet.

Lufta dhe konflikti i armatosur gjithashtu luajnë rol, në rekrutimin e fëmijëve për të punuar ose për të shërbyer si fëmijë ushtarë. Ndërsa ndryshimet klimatike i kanë detyruar njerëzit të lënë shtëpitë e tyre dhe të emigrojnë, duke i vënë në rrezik më të madh.

/GazetaSinjali/